Ndreu-Bankini drejtojnë stërvitjen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Largimi i befasishëm i Eugent Zekës nga stoli i skuadrës së Laçit ka bërë që drejtuesit të gjejnë edhe zëvendësuesin e tij.
Ata nuk kanë shkuar shumë larg, pasi momentalisht bëhet fjalë dyshen NdreuBankini. Ky i fundit më herët ka punuar si përgatitës atletik te Teuta, u afrua fillimisht me objektivin që të ishte trajner i parë, por me ardhjen e Zekës gjërat u ndërlikuan disi. Megjithatë, në atë kohë ishte presidenti Laska që bëri me dije se skuadra do të drejtohej nga dy trajnerë.
Në deklaratën e parë kur erdhi te Laçi, Bankini pati thënë se vendimet do të merreshin unanimisht me Zekën. Por, tani që Zeka është larguar, duket se drejtuesit nuk kanë vendosur përfundimisht për Bankinin në krye të skuadrës. Kjo, pasi në stërvitjen e djeshme skuadra është drejtuar nga drejtori teknik, Ramadan Ndreu dhe italiani Bankini, çka bën që çështja e stolit të mbetet e hapur.
Largimi
Edhe pse ikja e trajnerit shkodran Zeka nga Laçi mbetet mister, ajo që ai dhe skuadra shfaqën në ndeshjen e fundit me Tiranën duket se ka ndikuar për keq. Në atë sfidë të gjithë janë habitur kur nga katër mesfushorët bazë të Laçit, Gocajt, Veliajt, Mustafës dhe Zefit, asnjëri nuk ka qenë titullar. Rrotacioni total duket se përveç tifozëve ka befasuar jo vetëm tifozët, por dhe vetë krerët e kurbinasve. Aq më tepër kur vetë ish-trajneri deklaroi pas ndeshjes se "rrotacioni i sotëm i shërben së ardhmes".
Megjithatë, mësohet se klubi e ka falënderuar Zekën për impenjimin dhe kontributin që ka dhënë në tri ndeshjet që ka drejtuar skuadrën e Laçit. Nën drejtimin e tij skuadra mori një barazim dhe një humbje në kampionat, si dhe një fitore në gjysmëfinalen e Kupës.
Përgatiti: Isuf Myrtaj