Zidan rrezikon të shkarkohet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zinedin Zidan nuk ndihet i sigurt për vazhdimësinë e tij në krye të Realit, kur pranon se tre muajt e mbetur të këtij sezoni janë shumë të rëndësishëm për të ardhmen.
Ai nënvizon se Champions-i është objektivi kryesor, ndërkohë që thotë se në garën për titull tashmë janë shumë larg, kur diferenca me kryesuesit e Barcelonës është 12 pikë...
E keni kaluar humbjen me Atletikon?
Është diçka që i takon së shkuarës. Nuk është mirë të mendojmë për të, edhe pse duhet të jemi të ndërgjegjshëm që duhet të na shërbejë si mësim. Duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, me synimin për t'u paraqitur gjithnjë e më mirë.
Si e shpjegoni faktin që Hames Rodrigez ka humbur shumë nga shkëlqimi i tij?
Kam folur me Hames, por nuk është një temë që duhet të flas këtu. Të gjithë duam që ai të rikthehet në maksimum. Ka nevojë për vazhdimësi. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, por nuk është për t'u fajësuar askush në këtë mes. Duhet të vazhdojë të punojë. Asgjë më tepër.
Levante është vendi i fundit në klasifikim. Mendoni se do hasni vështirësi?
Çdo ndeshje është e vështirë. Nëse nuk japim maksimumin tonë ose bëjmë gabime, sigurisht që nuk do të arrijmë të marrim atë që duam. Varet vetëm nga ne.
E shikoni veten pjesë e Madridit sezonin tjetër?
Nuk mendoj për një gjë të tillë. Jam i përqendruar vetëm tek e nesërmja dhe ndeshja e radhës. Nuk është e rëndësishme për mua që të fokusohem te planet afatgjate.
Keni besimin e klubit?
Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë pas tre muajsh. E di që gjatë këtyre muajve, të fitojmë sa më shumë ndeshje, të fitojmë trofe. Janë shumë të rëndësishëm për të gjithë.
Keni pasur shumë dëmtime dhe thuhet që lojtarët janë të pakënaqur me stafin mjekësor...
Nuk di të ketë problem dhe s'kemi shumë dëmtime. Është diçka që do mundohemi ta menaxhojnë si duhet, për pjesën që ne kemi në dorë.
Do të jetë Modriç?
Jo, ka një problem dhe do mungojë për ndeshjen e radhës. Nuk dua të rrezikojë që të pësojë një dëmtim më të rëndë.
Si është gjendja e Bejlit?
Zhvilloi për herë të parë një seancë të plotë stërvitore dhe kjo është pozitive. Të gjithë e dini që ai është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne. Shpresojmë të rikthehet në maksimumin e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
Mendoni se jeni në garë për titull kampion, kur ju rrezikoni edhe vendin e tretë?
Nuk jemi në situatë të favorshme, pasi diferenca me kreun është 12 pikë. Gjithsesi, misioni i mbetur është që të marrim sa më shumë pikë. Kjo është ajo që kemi në dorë dhe duhet ta realizojmë me sukses.
Jeni të fokusuar vetëm te Champions-i tashmë?
Është një kompeticion që gjithmonë ka marrë vëmendjen tonë maksimale dhe kështu ka për të vazhduar.