Zgjidhet Presidenti i ri i FIFA-s, mori 115 vota në raundin e dytë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani Infantino është Presidenti i ri i FIFA-s. Ai u zgjodh pasditen e së premtes me 115 vota në raundin e dytë.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, zviceriani me origjinë italiane, tashmë është zgjedhur në krye të "qeverisë së futbollit botëror".
Mediat ndërkombëtare kanë shkruar se për Infantinon ka qenë surprizë zgjedhja në krye të FIFA-s, pasi pak çaste para votimit, sheiku i Bahreinit Salman Al-Khalifa, ishte pretendenti kryesor.
Në raundin e parë, Infantino mori 88 vota, ndërsa Sheiku Salam mori 85. Kjo bëri që zgjedhjet të kalonin në raudin e dytë, pasi asnjëri prej kandidatëve nuk kishte fituar 2/3 e votave (138 nga 207). Ndërsa raundi i dytë parashikonte që fitues të shpallej ai kandidat që merrte 50+1 për qind të votave (104).
Më herët, kreu i FIFA-s Sep Blater dhe ai i UEFA-s Mishel Platini fillimisht u pezulluan për tetë vite nga çdo aktivitetet futbolli.
Vendimi i marrë nga Etika, në Zyrih vulosi për të dy se nuk do të kenë më shanse të kandidojnë për presidencën e FIFA-s në muajin shkurt.
Mirëpo, para disa ditësh, apeli e zvogëloi dënimin në 6 vite për Blaterin dhe Platininë. Dy ish-krerët më të lartë të qeverisë së futbolli u pezulluan për një pagesë jo të ndershme në vlerë prej 2 milionë franga zvicerane që i ishte bërë Platinisë nga xhirollogaria e FIFA-s në vitin 2011.