Mirdita nderon me Mirënjohje kampionët e ringut
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dje, në orën 13:00, në pallatin e kulturës së qytetit Rrëshen u organizua një takim i iniciuar nga Bashkia Mirditë për t'i dorëzuar "Mirënjohjen" e Bashkisë Mirditë kampionit interkontinental në versionin WBC boksierit Gjetan Keta dhe kampionit të Europës në kikboks, Kristian Prengës.
Dy kampionët u shoqëruan në këtë ceremoni festive nga trajneri i tyre, ish-kampioni i botës Ismail Keta.
Që në hyrje të qytetit të Rrëshenit, kampionëve iu rezervua një pritje madhështore, ku kishte dalë gati i gjithë qyteti për t'i pritur dhe përshëndetur. Në këtë ceremoni qytetarët e shumtë mirditorë kishin mbushur sallën e pallatit të kulturës.
Pasi boksierëve ju urua mirëseardhja tradicionale mirditore, kryetari i bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj, ju dorëzoi boksierëve në fjalë Certifikatat e Mirënjohjes të akorduara nga Bashkia Mirditë në shenjë respekti për kikboksierin kampion, të riun mirditor Kristian Prenga dhe vëllezërit Ismail dhe Gjetan Keta.
Pas shpërndarjes së certifikatave të mirënjohjes, kampionët e ringut falënderuan Bashkinë Mirditë për këtë nder të madh që ju bë nga pushteti vendor mirditorë dhe për pritjen madhështore që ju rezervua që në hyrje të qytetit të Rrëshenit.
Në këtë ceremoni, më i impresionuari ishte sportisti mirditor Kristian Prenga. Ai u rikthye në qytetin e tij të lindjes si kampion Europe dhe në fjalën e tij premtoi se së shpejti do të luftojë për titullin botëror në kikboks.
Përgatiti: Preng Gjikola