Ze Maria, ne bisedime me Tiranen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Çështja e pankinës te Tirana nuk është ende histori e mbyllur. Trajnerë të ndryshëm po lakohen, ndërsa drejtuesit vazhdojnë të bisedojnë me disa emra. Më i fundit që del në skenë, është Ze Maria (Hoze Marselo Ferreira), ish-mesfushor i Kombëtares braziliane dhe i Interit. Ai shihet si një opsion i mundshëm për stolin e kryeqytetasve në të ardhmen. Prej ditësh, 40-vjeçari ka hyrë në kontakte me krerët e skuadrës bardheblu. Një gjë të tillë e zbulon për “Panorama Sport” donatori Ndriçim Babasi, i cili rrëfen se janë në tratativa, madje kanë folur edhe për anën financiare.
Tashmë mbetet vetëm që të bien dakord edhe për çështjen e objektivave, pasi Tirana do garanci sa i përket ecurisë së ekipit. Do të jetë ky një ndër kushtet kryesore, sepse tentohet ringritja e skuadrës në majat e renditjes. “Kemi biseduar me Ze Marian, një emër që na u ofrua dhe që shihet si një alternativë për stolin bardheblu. Bisedimet nuk janë fort të cekëta, pasi kemi folur edhe për anën financiare dhe jemi dakord për këtë pjesë. Na mbetet më së shumti që të diskutojmë për objektivat.
Dua të di se çfarë synimesh do ketë ai si trajner i Tiranës, pra a jep garanci për të kapur majat ose për të fituar ndonjë trofe. Por, edhe në këtë drejtim, do flasim dhe do sqarojmë diçka”, – tha sponsori në lidhje me këtë rast. Hoze Marselo Ferreira, i quajtur ndryshe Ze Maria, i lindur në Oerieras të Brazilit, ka një karrierë të pasur si lojtar. Ai nuk është një emër i panjohur. E nisi futbollin profesionist te Portugesa në Brazil dhe më pas u huazua te Sergipe dhe Ponte Preta. Më tej kaloi te Flamengo, ku luajti vetëm gjysmë faze, për t’u transferuar në Serinë A, pikërisht te Parma dhe më tej te Peruxhia, ku luajti për 6 vite. Kulmin e ka pasur tek Interi, ku fitoi edhe një titull kampion, dy kupa Italie dhe një Superkupë. Ndër të tjera, ai ka luajtur edhe me përfaqësuesen e Brazilit.