Lacio kembengul, ja prapaskenat me Mergim Mavrajn
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në Itali janë gati të bindur: Mërgim Mavraj mund të jetë shqiptari i radhës që do zbarkojë te Lacio. Sipas të përditshmes italiane “Corriere dello Sport”, drejtuesit e Lacios janë vënë në lëvizje për të përforcuar repartin e mbrojtjes, duke qenë se alternativat gjatë këtij edicioni kanë qenë me pikatore. Në mjaft raste Lorik Cana është dashur që të luajë si në kampionat dhe në Ligën e Europës, kjo edhe për faktin se braziliani Dias ka treguar një formë të dobët sportive. Pikërisht, ky i fundit pritet të largohet që në janar për t’i bërë vend një mbrojtësi mes Mërgim Mavrajt dhe 21-vjeçarit të Salzburgut, Martin Hintereger. Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ka kërkuar informacione të detajuara për këtë lojtar, kartoni i të cilit vlen thuajse 2 milionë euro. Në të njëjtat shifra, është edhe vlera e kartonit të Mërgim Mavrajt, kontrata e të cilit me skuadrën gjermane, Grojter Fyrth, përfundon në qershor të 2014-s.
Qendërmbrojtësi kuqezi nuk ka rinovuar ende, ndaj, në këtë këndvështrim, drejtuesit e këtij klubi do mundohen që ta sheshin që në janar, me qëllim që të mos rrezikojnë që lojtari të largohet në fund të këtij sezoni me parametër zero. Në këtë këndvështrim, ka gjasa që bisedimet mes Lacios dhe Grojter Fyrthit të jenë disi më të lehta dhe tratativa të mund të arrihet në janar, kjo natyrisht nisur nga fakti se Mavraj nuk ka pranuar ende të firmosë rinovimin e kontratës së tij. Sakaq, referuar mediave italiane, në rast se Lacio nuk do mund të marrë asnjërin prej këtyre lojtarëve të mësipërm, atëherë “shigjetat” do drejtohen nga Çeikou Kujatè, 23-vjeçar që luan për Anderleht. Ky lojtar po ndiqet nga afër prej shumë klubeve të njohura në Europë, ndaj edhe klubi belg i ka rritur kërkesat mbi vlerën e kartonit, duke e çuar deri në 6 milionë euro. Gati një milion më pak kushton Bakari Konè i Lionit, por gjithsesi në shtëpinë laciale hë për hë nuk duan të shpenzojë shumë parà, ndaj fillimisht do kërkohet arritja e akordit me Hintereger ose Mavrajn.