Zbardhen prapaskenat e kontratës së Moratës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Do të rikthehet apo jo Alvaro Morata te Reali? Sa duhet të paguajnë "galaktikët" për ta pasur sërish në skuadër ish-futbollistin e tyre? Të gjitha pikëpyetjet e kësaj çështjeje ka vendosur t'i sqarojë "Football Leaks", që ka publikuar kontratën e shitjes së futbollistit spanjoll nga Reali te Juventusi.
Pas zbardhjes së disa kontratave të futbollistëve madrilenë, këtë herë është kontrata e Moratës që bëhet publike për mediat. Juventusi ka rënë dakord për shumë pika, të cilat favorizojnë Realin.
"Galaktikët" mund ta rikthejnë sërish dhe vlerën e kartonit të tij nuk ka forcë ta vendosë Juventusi, por prezenca e sulmuesit në fushën e lojës. Kjo do të thotë se "Zonja e Vjetër", nëse dëshiron të përfitojë sa më shumë nga shitja e Moratës, duhet ta aktivizojë më shumë se 50% e ndeshjeve.
Detajet - Alvaro Morata u transferua nga Madridi drejt Torinos për 20 milionë euro. Është përfolur shumë për klauzolat e ndryshme të kontratës së tij, por dyshimet janë shuar përfundimisht. Reali ka të drejtë që ta blejë lojtarin në fund të këtij sezoni, ose në fundin e sezonit tjetër.
Një rikthim i mundshëm në Madrid do t'i kushtojë Perezit 30 milionë euro, nëse futbollisti ka luajtur më shumë se 50% të ndeshjeve zyrtare me fanellën bardhezi. Vlera e tij bie me 5 milionë euro, pra 25 milionë, në rast se lojtari është aktivizuar nga 25%- 50% të ndeshjeve zyrtare. Kartoni i tij do të kushtojë 20 milionë euro, në rast se ka luajtur më pak se 25% të ndeshjeve me bardhezinjtë.
Klauzola - Juventusi nuk ka asnjë të drejtë mbi kartonin e Moratës. Bardhezinjtë janë të varur nga Reali dhe nga dëshirat e vetë futbollistit. Vetëm ai mund të vendosë për të ardhmen e tij, në bisedime me drejtuesit e lartë të madrilenëve.
Nëse Juventusi do të guxonte që ta shiste lojtarin në një skuadër tjetër përpara vitit 2017, atëherë duhet t'i paguajë Realit të Madridit një vlerë prej 80 milionë euro. Bardhezinjtë duhet të tregohen shumë të kujdesshëm në këtë pjesë, por deri tani nuk kanë treguar asnjë interes për ta larguar Moratën. Ai është një nga lojtarët kryesorë të formacionit të Alegrit.