Gati Juventusi i ëndrrave, tentohen Kavani dhe Gyndogan
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sukseset e njëpasnjëshme të Juventusit në Itali, por dhe paraqitjet pozitive në Europë i kanë shtuar kreditet. Hapat përpara të bëra nën drejtimin e Masimiliano Alegrit kanë bindur drejtuesit për të vazhduar projektin e nisur.
Juventusi mund të përforcohet akoma më shumë, jo vetëm për të dominuar në Itali, por edhe në Europë.
Dy janë emrat kryesorë ku është bazuar merkato e bardhezinjve. Marota është duke punuar paralelisht për mesfushorin Gyndogan dhe sulmuesin Kavani. Në listën e gjatë të dëshirave vazhdojnë të jenë Gëce dhe Oskar.
Kavani - Gjatë kësaj kohe është përfolur shumë se e ardhmja e tij te PSG-ja është në pikëpyetje. Sulmuesi uruguaian ishte i sakrifikuari i drejtuesve për të mbajtur Ibrën, por ky i fundit ka dhënë sinjale lamtumire dhe mund të largohet në merkaton e verës.
Diçka e tillë frenon drejtuesit e Parisit për të larguar Kavanin, por Juventusi do të provojë me të gjitha mënyrat për ta bindur të rikthehet në Itali. Uruguaiani ka shprehur gjithmonë dëshirën për t'u rikthyer në Serinë A dhe Juventusi është skuadra që mund të përmbushë të gjitha kërkesat e tij. Ky lajm vazhdon të përforcohet akoma më shumë, pas lajmit se Ançeloti kërkon të rikthejë Manxukiçin te Bajerni.
Gyndogan - E njëjta histori është edhe për mesfushorin turkogjerman, Gyndogan. Juventusi e provoi edhe në merkaton e janarit, por nuk arriti të bindte lojtarin dhe Dortmundin. Sulmet e ardhshme priten të jenë në merkaton e verës. Lojtari nuk është i bindur për rinovimin me gjermanët dhe kjo i jep shpresë Juventusit.