Ja katër dështimet e Interit në merkato
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Humbja me Juven tusin ka shtuar pasiguritë në kampin zikaltër, aty ku tashmë vihet në dyshim çdo gjë. "Corriere dello Sport" listoi dje katër blerje të Interit që kanë zhgënjyer më shumë se të tjerët gjatë këtij sezoni.
Stevan Jovetiç - Fantazisti u transferua në Milano me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për 14,5 milionë euro. Në ato pak ndeshje që ka luajtur, nuk ka bindur Mançinin, i cili afroi një fantazist kur në të vërtetë vetë lojtari tha se donte të luante sulmues i parë. Ky është një nga shkaqet që bënë që dyshja me Ikardin të mos funksiononte kurrë. Interi do të jetë e detyruar që ta blejë (ndodh e kundërta nëse nuk e aktivizon ndeshjen e parë të sezonit të ri ose në rast se skuadra gjendet mes tri të fundit dhjetorin e ardhshëm) dhe më pas ta shesë. Pra, Auzilios do t'i duhet të përsërisë operacionin që bëri me Shaqirin.
Ivan Perisiç - Pas negociatash të stërzgjatura, Piero Auzilio kaloi vetveten për t'ia servirur Manços, i cili kërkoi kroatin me çdo kusht. Por deri në këto momente kroati nuk ka justifikuar asnjë cent të 16 milionë eurove që i detyrohet Interi Volfsburgut.
Felipe Melo - Duhej të ishte njeriu i besuar i Mançinit. Duhej të ishte lojtari që do t'i jepte eksperiencë dhe temperament grupit. Duhej të merrte për dore skuadrën në momentet e vështira, por realiteti është krejt ndryshe. Në duelin Inter-Lacio, me penalltinë absurde që shkaktoi, e cila u pasua nga faull po aq absurd që kushtëzoi zikaltrit të luanin me dhjetë veta, bëri që të humbte respektin e Mançinit, pra të dilte totalisht jashtë radarëve të teknikut.
Xhefri Kondogbia - Francezi ishte lojtari ku Interi vuri bast gjithçka kishte. Zikaltrit shpenzuan 31 milionë euro për Kondogbian që deri më tani nuk ka justifikuar çmimin e paguar. Te Sevija dhe Monako tregoi gjëra të bukura, por në Milano ende nuk ka bërë diferencën. U kthye shumë shpejt në një "gabim" merkatoje...