Zbardhen fotot e sherrit, 50 metra vrap për një grusht
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një ditë pas ndeshjes Turbi na-Luftëtari, zbardhet dinamika e sherrit masiv që ndodhi në minutat e fundit. Goditje, civilë që hyjnë në fushë dhe shumë tension. Videoja e dhunës së cërrikasve ndaj lojtarëve gjirokastritë ka bërë dje xhiron e internetit.
Pa dyshim personazhi që bie në sy është portieri i dytë i Turbinës, Xhenaldo Miza, i cili lë stolin dhe vrapon drejt kapitenit të Luftëtarit, Fejzo Shenaj, duke e goditur me grusht mbrapa kokës. Gjithashtu në sherr përfshihen edhe persona civilë që hyjnë në fushë dhe godasin e shtyjnë miqtë.
Sherri
Në minutën e 86-të ka një përplasje mes dy lojtarëve afër vijës fundore dhe futbollisti i Luftëtarit bie në tokë duke kërkuar ndihmë. Në këtë moment, lojtari i Turbinës i afrohet dhe e ngre me zor nga krahët. Situata tensionohet dhe afrohen lojtarë të të dyja skuadrave që shtyhen me njëri-tjetrin. Po ashtu, mes grumbullit të lojtarëve vjen edhe trajneri mik Gerd Haxhiu që tenton të qetësojë gjakrat.
Por, për të ndezur më shumë sherrin mendon portieri i dytë i Turbinës, Xhenaldo Miza, i cili lë stolin e vrapon (edhe nëse do të kishte fituar ndonjë trofe nuk do vraponte aq shpejt) dhe me një kërcim akrobatik ngrihet mbi trajnerin Haxhiu e godet me grusht mbrapa kokës kapitenin e miqve, Fejzo Shenaj. Gardiani cërrikas ndalet vetëm pas ndërhyrjes së shokëve të skuadrës. Në këtë rrëmujë hyjnë në fushë edhe persona civilë, të cilët godasin lojtarët miq.
Sherri përhapet dhe krijohen disa vatra ku ka goditje dhe shkelma. Situata qetësohet pas disa minutash kur ndërhyjnë edhe forcat e rendit, ndërsa ata pak mbështetës të Turbinës në shkallët e stadiumit (takimi ishte pa tifozë) shajnë dhe i ofendojnë në kor miqtë.
Kërkesa
Në këtë situatë, trajneri Haxhiu kërkoi që ndeshja të mos vazhdonte më. Ai kërkoi nga delegati që të ndërpriste sfidën, por kjo nuk u miratua. Pavarësisht gjithçkaje, loja rinisi, ndërsa tekniku i miqve përfundoi në tribunë. Një takim shumë i tensionuar që përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme.
Pendohet Miza: Kërkoj ndjesë, ja pse dhunova
Xhenaldo Miza ishte dje njeriu më i diskutuar në rrjetet sociale. Videoja e dhunës në ndeshjen Turbina-Luftëtari ku portieri cërrikas vrapoi për rreth 50 metra për të goditur me grusht kapitenin e miqve bëri xhiron e rrjetit. Por, kur e ka parë veten se çfarë veprimesh ka bërë, Miza është penduar menjëherë. Madje, e pranon gabimin dhe kërkon falje ndaj miqve dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar nga këto pamje.
Miza Portieri rrëfen ngjarjen dhe tregon arsyet që e shtynë të godiste lojtarin e Luftëtarit. "Në atë moment kur ndodhi incidenti, durimi arriti kulmin. Unë e dashuroj futbollin dhe është një lojë që e përjetoj shumë. Në këtë mënyrë, edhe situatat e ndryshme që ndodhin në fushë më bëjnë që të reagoj me gjaknxehtësi. Gjatë të gjithë ndeshjes, lojtarët miq simulonin dhe kërkonin faull në favor të tyre në çdo përplasje. Dhe, në atë moment, gjithçka arriti kulmin.
Nuk më mbajtën më nervat dhe reagova në atë mënyrë duke vrapuar dhe goditur një prej lojtarëve kundërshtarë. Në atë moment u nervozova shumë me pretendimet e miqve dhe bëra veprimin që e panë të gjithë. Por, kur kam parë videon në internet, jam penduar menjëherë. Sigurisht që është një veprim i dënueshëm dhe i papranueshëm. Duke përfituar nga rasti, nëpërmjet gazetës suaj i kërkoj ndjesë futbollistit që godita, të gjithë lojtarëve dhe skuadrës mike si edhe atyre që janë ndier keq nga ato skena që kanë parë", shprehet fillimisht Miza në rrëfimin e tij. Ju ofenduan lojtarët miq?
"Kur kalonin përpara stolit, ata lëshonin akuza dhe të shara ndaj nesh. Nuk mendoj se Luftëtari e meritoi plotë- sisht fitoren. Ishte një takim i luftuar nga të dyja ekipet dhe minimalisht Turbina meritonte një pikë. Kjo ngjarje iku tashmë dhe nuk ka kthim mbrapa. Më vjen keq për gjithçka ndodhi, por jua thashë që e bëra vetëm në gjaknxehtësi e sipër. Nuk kisha asnjë qëllim për të dhunuar miqtë, por nuk më mbajtën më nervat dhe reagova në atë mënyrë.
Edhe një herë kërkoj falje për këtë veprim. Kam folur edhe me shokët e skuadrës dhe pjesëtarët e stafit teknik, të cilët më kanë kritikuar për reagimin", përfundon rrëfimin e tij për gazetën portieri i Turbinës, Xhenaldo Miza. Ky është portieri i dytë pas atij të Domosdovës një muaj më parë që bëhet pjesë e akteve të dhunës në futbollin shqiptar. Videot ku ka incidente, dhunë dhe përplasje në ndeshjet e ndryshme në kategoritë inferiore në Shqipëri janë shtuar shumë së fundmi. Edhe një herë tjetër, futbolli shqiptar është i ekspozuar ndaj akteve të dhunës.
Përgatiti: BESAR BOZGO
