e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Zaneti i dorëzuar: Ky grup ka nevojë për një lavazh truri

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zaneti i dorëzuar: Ky grup ka nevojë për një lavazh truri

Një ndeshje nga ato që të shkaktojnë ethe dhe të lënë pa zë. E tillë ishte humbja kundër Juventusit për trajnerin Roberto Mançini, i cili nuk është paraqitur përpara medias në fund të ndeshjes, si rrjedhojë e temperaturës së lartë që e pushtoi nën shiun e Torinos, por edhe si rrjedhojë e mungesës së zërit.zaneti Prandaj, përpara mikrofonave u paraqit zëvendëspresidenti i zikaltërve dhe ish-kapiteni i kësaj skuadre, Havier Zaneti, i cili nuk e kafshoi aspak gjuhën, por i pranoi problemet.

Havier, një tjetër humbje e rëndë. Dallohet qartë që këtij Interi i mungon një lojtar që të vendosë ritmet e lojës...

Fatkeqësisht është një moment shumë i vështirë për ne, por në të vërtetë kësaj skuadre i mungojnë shumë gjëra, jo vetëm një. Kjo ishte një tjetër humbje e rëndë për ne, për meritë të Juventusit, por edhe si rrjedhojë e shmangies së lojtarëve tanë nga përgjegjësitë. Tani më shumë se kurrë ka ardhur momenti që të gjithë së bashku të bëjmë një lavazh truri, të kuptojmë dhe arsyetojmë gjithçka që nuk shkon.

Si dilet nga të tilla situata?

Vetëm me personalitet. Nëse e kemi ose jo, këtë do të kuptojmë nga ndeshjet e radhës.

Mos duhet që edhe Mançini të nisë të japë shpjegime për zgjedhjet e tij? Do të ketë një konfrontim edhe me të?

Roberto ka stafin e tij për të përgatitur ndeshjet dhe analizuar fitoret, barazimet dhe humbjet. Natyrisht që edhe me mua, Stankoviçin dhe Auzilion ka një komunikim të hapur dhe shkëmbim idesh, por ai është një trajner që ka një eksperiencë aq të madhe mbi shpatulla, saqë di si t'i përgatisë ndeshjet.

Por çfarë nuk shkon atëherë? Përse ka ndryshuar kaq shumë formacione së fundmi?

Fatkeqësisht sepse Interi ka humbur soliditetin e tij fillestar, atë që na lejoi të qëndronim të parët për të gjithë 2015-tën. Por gabojmë nëse fajësojmë vetëm repartin e mbrojtjes për humbjet e fundit, në fushë duket qartë që po mungon e gjithë skuadra.

Sa do ndikojnë këtë rezultate të fundit në fatin e Mançinit. Pritet një takim mes trajnerit dhe Tohirit për të ardhmen e Robertos?

Tohir i njeh meritat e trajnerit tonë dhe këtë ia ka thënë edhe në vizitën e fundit. Prandaj, e vërteta është që Roberto nuk rrezikon asgjë, pavarësisht disa daljeve të fundit mediatike të cilat mund të kenë krijuar ndonjë mendim të gabuar. Ai është i fokusuar te skuadra, por çështja është që Mançini dhe lojtarët nuk po ndjekin njëri-tjetrin.