Alegri: Inter, lamtumirë titull!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në fund të garës më i lumturi nga të gjithë ishte Masimiliano Alegri. Trajneri i Juves mori një përgjigje të mirë nga skuadra, pasi kuptoi se ndeshja me Bajernin nuk i kishte lënë pasoja ekipit.
Mbi ndeshjen - "Bëmë atë që duhet të bënim. Ishim agresivë nga minuta e parë deri në përfundim të duelit. Goli qe një paradoks, pasi shënuan pikërisht falë një rivënie të gabuar. Në pjesën e parë duhet që të ishim më të shpejtë kur e qarkullonim topin", ishte komenti i numrit një të ekipit për garën e zhvilluar në "Juventus Stadium".
Sfidë kyçe - Gazetarët pyetën Alegrin për rëndësinë që kishte fitorja përballë Interit. Ata u interesuan nëse ky triumf do të kthehej në presion për Napolin. "Për mua, kjo ndeshje nuk ka shumë vlera. Është një garë më pak në luftën për titull. Sa i përket presionit që mund të kemi ushtruar mbi Napolin mendoj se e keni gabim. Ata, edhe nëse fitojnë, nuk mund të na arrijnë. Maksimumi mund të shkurtojnë diferencën në minus një pikë. Tani ne duhet të përqendrohemi te takimi i radhës, pasi unë dua që të luaj finalen e Kupës së Italisë", tha 48-vjeçari.
Mbi Kielinin - Një tjetër çështje e trajtuar prej trajnerit ishte edhe ajo në lidhje me aktivizimin e Kielinit, i cili u largua nga fusha e lojës për shkak të një shqetësimi muskulor. "Nuk mendoj se është asgjë e rëndë. Me aq sa më tha teksa u largua nga fusha kuptova se kishte një shqetësim në pulpë", tha Alegri, i cili mori jo pak kritika kur vendosi që të aktivizonte Kielinin, edhe pse lojtari kishte munguar në disa takime për shkak dëmtimi.
Hernanes - Një tjetër argument "i nxehtë" i trajtuar ishte edhe ai që kishte lidhje me Hernanesin, lojtari që i kushtoi Juves plot 11 milionë euro (pa llogaritur bonuset). "Ai është një lojtar i zgjuar dhe mund të luajë fare mirë në regji në vend të Markizios. Në atë pozicion mund të kthehet në një lojtar deciziv për ne", arsyetoi Alegri duke iu referuar edhe pjesës së dytë të duelit mes Juves dhe Bajernit.
Vetëdija - Interi do të thotë shumë për Alegrin, pasi siç shpjegoi edhe vetë ai pikërisht përballë zikaltërve kishte kuptuar se sezoni mund të përfundonte ndryshe për "Zonjën". "Në Milano kam kuptuar se mund të ndreqnim gjithçka. Ne ishim në një moment negativ dhe pas barazimit që morëm atje kuptova shumë. Ndërsa për ndeshjen e mbrëmshme them se me atë fitore i kemi larguar nga lufta për titull. Sot (dje) lojtarët ishin për 'Oscar'", tha Alegri.