Miha magjeps Milanin, tani e duan të gjithë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një për të gjithë, të gjithë për një. Nëse tri indicie formojnë një provë, pas deklaratave të Abiatit në vigjilje të sfidës kundër Torinos dhe atyre të Abates dhe Hondës në përfundim të ndeshjes, sot nuk do të kishim më asnjë dyshim: te Milani, skuadra dhe tifozët janë të gjithë të bashkuar për Sinisha Mihajloviçin.
Rezultatet dhe besimi më në fund shkojnë në një drejtim të përbashkët: nëntë ndeshje radhazi pa humbje (diçka e tillë nuk ndodhte nga prilli i vitit të 2013) dhe vetëm dy humbje në 20 ndeshje.
Falë këtij rendimenti pozitiv, Milani është në garë për një vend në Ligën e Kampioneve, ndërsa janë përforcuar ndjeshëm pozitat e trajnerit Mihajloviç, i cili, pasi mori elozhet e Berluskonit për përballjen kundër Napolit, pas Torinos ka qenë "veterani" Kristian Abiati që ka thënë fjalë domethënëse:
"Sinisha është njeriu dhe trajneri i duhur që i nevojitet Milanit. Në drejtimin e tij po ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme. Flas në emër të grupit dhe di të them se do të ishte një gabim fatal nëse klubi do ta ndërpriste në fund të sezonit bashkëpunimin me trajnerin", tha portieri.
Besimi - Kështu, pas tri pikëve të fituara në "San Siro" kundër Torinos, një tjetër "senator" i Milanit, Injacio Abate, i doli në krah trajnerit: "Jemi një grup i bashkuar dhe e kemi treguar me fakte duke i qëndruar pranë trajnerit. Skuadra pasqyron karakterin e Sinishës".
Mirëpo, nuk përfundon me kaq, pasi edhe Honda, i cili disa muaj më parë "ngriti zërin" kundër serbit, tani është joshur nga ai: "Duhet të qëndrojmë të përqendruar, aq më tepër tani që ka një atmosferë shumë të mirë brenda grupit. Në 2016- ën kemi humbur vetëm një ndeshje, duhet të ndjekim këtë rrugë. Sigurisht duam që përpara të ecim me Mihajloviçin edhe sezonin e ardhshëm".
Pozicionimi i tifozëve - Harmonia brenda grupit përkthehet me pikë në fushë. Nuk është rastësore që edhe tifozët e Milanit, të cilët deri pak muaj më parë nuk ishin entuziastë për ardhjen e Sinishës, që i rëndonte e kaluara si interesit, tani janë të gjithë pro serbit. 46-vjeçari ka fituar edhe besimin e ultrasve kuqezi, të cilët gjatë ndeshjes kundër Torinos u pozicionuan për të parën herë në favor të trajnerit me një banderolë: "Me gjak dhe djersë po fiton dashurinë tonë: respekt, përkushtim... Nuk shikojmë gjë tjetër".