e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Milani forcë punëtore, simboli është Kuçka

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Milani forcë punëtore, simboli është Kuçka

Milani ka bërë më në fund paqe me "San Siro"-n, nuk këndon me elegancë poshtë shiut, por djersit dhe pështyn gjak, siç u pëlqen tifozëve që e nënvizojnë sakrificën dhe dashurinë e rilindur me banderola në stadium.

MILAN, ITALY - OCTOBER 28: Juraj Kucka of AC Milan in action during the Serie A match between AC Milan and AC Chievo Verona at Stadio Giuseppe Meazza on October 28, 2015 in Milan, Italy. (Photo by Marco Luzzani/Getty Images)Për të parë një skuadër spektakolare që e dominon kundërshtarin me lojë dhe qarkullim topi, Silvio Berluskonit i duhet që të nxjerrë nga arkiva video të vjetra, ose të shikojë ndeshjet e Barcelonës dhe Bajernit të Mynihut.

Te Milani, për momentin, duhet të kënaqet dhe, nuk është pak, me rendimentin e skuadrës në fazën e dytë, teksa kujtojmë se ekipi kuqezi e nisi kampionatin në mënyrën më të keqe të mundshme, ndërsa sot është në garë për një vend në Ligën e Kampioneve.

Pas suksesit kundër Torinos, "Djalli" ka rifreskuar të dhënat e tij këtë sezon, të cilat flasin për 9 ndeshje pozitive radhazi, në të cilat të besuarit e Mihajloviçit kanë shënuar në çdo takim. Kuqezinjtë në 20 sfidat e fundit njohin vetëm dy humbje, teksa në fazën e dytë kanë grumbulluar deri më tani 18 pikë, tetë më shumë se në fazën e parë dhe kanë pësuar nëntë gola më pak.

Simbolet - Organizim, sakrificë dhe bashkim grupi: ja cili është çelësi i suksesit që ka mundësuar rritjen graduale të një skuadre "punëtore", e cila tani vrapon me shpejtësi drejt "parajsës". Gjithçka ka lindur me idenë e Sinishës për të kaluar në modulin 4-4-2, i cili i dha ekuilibrin e munguar Milanit. Ekipi që vrapon dhe sakrifikohet në fushë është i dukshëm nga të gjithë.

Honda dhe Kuçka me kilometrat e tyre që përshkojnë gjatë ndeshjes janë simbolet e "Milanit punëtor". Në përfundim të ndeshjes kundër Torinos, ka rënë në sy një detaj shumë i rëndësishëm që lidhet me mesfushorin sllovak. Kuçka ka kryer dy driblime pozitive. Sakaq ka rikuperuar dhe 7 herë topin në mesfushën kundërshtare.

Me inkursionet e tij, ish-mesfushori i Xhenoas ka qenë shpeshherë i rrezikshëm duke fituar goditje dënimi shumë pranë zonës së Torinos. Sakaq, edhe Honda e ka pranuar pa frikë rolin e tij të ri: "Nuk jam numri tipik 10, por mos më thoni se kam ndryshuar". Rendimenti nuk lidhet me fantazinë e tij në fushë, por futbollisti vlerësohet për guximin dhe përkushtimin që tregon, teksa lufton për çdo top. Ai bën atë që i kërkohet, detyrat i zbaton mirë dhe nga këmbët e tij lindin krosime interesante në zonë dhe raste shënimi, si traversa kundër ekipit të Venturës.

Një tjetër tregues për shpirtin luftarak të Milanit është edhe parabola e Zapatës, i futur në fushë si zëvendësues kundër Napolit, por në gjende për të "anuluar" sulmuesin më të mirë të kampionatit, Higuain, i cili përballë tij e kishte të pamundur të çante përpara. Mihajloviç e konfirmoi edhe kundër Torinos dhe kolumbiani u përgjigj sërish duke zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer. Trajneri ka vendosur t'i besojë një grupi fiks lojtarësh, por shpeshherë merr maksimumin edhe nga stoli. Kujtojmë se mes tyre ka qenë edhe Honda.

Vështirësitë - Karlos Baka është futbollisti që shpeshherë i ka zgjidhur problemet e Milanit këtë sezon, pasi ka shënuar 13 gola deri më tani. Askush nuk mund t'i drejtojë gishtin kundër kolumbianit. Në Napoli ishte viktimë e mënyrës sesi u zhvillua takimi, pasi Milani u mundua më shumë të kujdesej për fazën mbrojtëse, duke e bazuar lojën e tij kryesisht në kundërsulm.

Ndërsa kundër Torinos, numri 70 u shërbye shumë pak. Mirëpo, tashmë të gjithë e kanë kuptuar: Baka e ka të vështirë të bashkëpunojë me shokët e ekipit, kjo edhe për shkak se kontrolli i topit nuk është "arma" tij e fortë, por nëse shërbehet siç duhet në zonë, gabon rrallëherë.

Këtë e dëshmojnë 10 golat që ka realizuar në goditjen e parë në portën kundërshtare. Problemi është se mungon "ylli" në krah të Bakës. Luiz Adriano nuk ofron më siguri, ndërsa Niang ka treguar rënie në rendimentin e tij në ndeshjet e fundit, teksa shpeshherë ka qenë pre e nervozizmit të tepërt.

Nga Menez te Boateng, kush futet në fushë tregon se s'ka një gjendje të mirë fizike, ndërsa Baloteli tashmë aktivizohet vetëm në minutat e fundit për të mbrojtur topin. Më shumë se kaq, sipas trajnerit të Milanit, sulmuesi nuk mund të japë. Mirëpo, skuadra e gjen gjithmonë rrugën e golit, edhe pse me vështirësi. E bën sepse lufton. E bën sepse ëndërron të rikthehet mes "BIG"-ve të Europës.