Xhorxho Kielini do të mungojë 10 ditë, gati për Bajernin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një lajm i mirë për Xhorxho Kielinin dhe Juventusin.
Mbrojtësi, i cili u detyrua që të ndërpresë ndeshjen me Interin pas vetëm 35 minutash lojë, si rrjedhojë e rikthimit të shqetësimeve në pulpën e djathtë ka marrë përgjigje pozitive nga analizat e djeshme mjekësore. Numri 3 i bardhezinjve ka vuajtur thjesht një lodhje muskulore, duke qenë që ai kishte akumuluar një mbingarkesë në stërvitjet e tri ditëve që paraprinë takimin me zikaltrit në kampionat.
Stafi mjekësor, duke parë përsëritjen e këtij problemi, ka vendosur që të urdhërojë 10 ditë pushim për 31-vjeçarin, i cili dogji kohët e riaftësimit dhe u kthye më shpejt seç pritej në fushë.
Kjo do të thotë se ai do të humbë ndeshjen e sotme kundër Interit, e vlefshme për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, dhe ndeshjen e radhës në kampionat, kundër Atalantës, të dielën. Gjithsesi, gjiganti italian do të jetë pjesë e transfertës në Gjermani, kundër Bajernit të Mynihut, për takimin e kthimit të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, më 16 mars.