e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Baro: Ja formula e triumfit të Vllaznisë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Baro: Ja formula e triumfit të Vllaznisë

Vllaznia në futbollin e femrave nuk njeh limite edhe këtë edicion sportiv. Në fundjavë, shkodranet u rikonfirmuan fituese të Kupës së Shqipërisë pas goleadës në finale 6-0 kundër kryeqytetaseve të Kinostudios.

Ndërsa një trofe e kanë bërë të tyre, synimi i radhës është pa dyshim edhe titulli kampion. Ana BaroVendimtare ka qenë në rrugëtimin e Kupës së Shqipërisë edhe sulmuesja Ana Baro.

Në një prononcim për "Panorama Sport", Baro shprehet e lumtur me trofeun e fituar dhe se sipas saj kjo ecuri e skuadrës nuk është e rastësishme.

"Çdo fitore vjen si rezultat i përkushtimit të vajzave, trajnerit dhe presidentit. Ne stërvitemi çdo ditë për të arritur këto rezultate. Nuk është e rastësishme asgjë çka ne kemi realizuar deri tani. Ne punojmë dhe stërvitemi fort për të arritur objektivat tona.

Çdo gjë në ekipin tonë merret me seriozitet, pra çdo seancë stërvitore dhe çdo ndeshje konsiderohet një finale. Kjo është 'formula' e suksesit tonë", u shpreh fillimisht sulmuesja Baro. Ashtu si në Kupë, i dyti për nga rëndësia pas kampionatit kombëtar, në ambiciet e Baros është edhe titulli kampion. Ecuria e deritanishme i kuoton kuqeblutë me të drejtë si kandidatët kryesorë për fronin.

"Objektivat tona janë fitimi i të gjitha ndeshjeve të mbetura të këtij sezoni për t'u shpallur kampion për të gjashtin vit radhazi".

E pyetur nëse është mjaftueshëm e kënaqur në nivel personal, Baro theksoi:

"Në nivel personal, duhet të punoj akoma më shumë, por për shkak të angazhimeve në Universitet nuk kam pasur mundësinë të arrij maksimumin tim. Përpiqem që çdo ndeshje të jap më të mirën time, por e di që mund të bëj më shumë se kaq", e mbylli deklaratën e saj kampionia Baro.