Kombëtarja, e gjitha në kontroll para Europianit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Me afrimin e kam pionatit europi an të peshëngritjes për të rritur (8-16 prill, në Forde, Norvegji), shtohet doza e kontrolleve për Kombëtaren shqiptare e grumbulluar në Cërrik. 
Pas "check up"-it të kryer pak ditë më parë ku u përfshinë analizat e gjakut, urinës dhe kontrolle të përgjithshme shëndetësore nën kujdesin e vet Ministrisë së Shëndetësisë, dje ka qenë radha e një testi shumë më të rëndësishëm.
Të gjithë sportistët e grumbulluar i janë nënshtruar kontrollit antidoping "out of competition", procedurë kjo e kryer nga Komisioni Kombëtar Antidoping. Lajmi për këtë vizitë "blic" të këtij komisioni përgjegjës u konfirmua zyrtarisht nga burime zyrtare të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.
Sportistëve u janë marrë mostrat e urinës, të cilat do të dërgohen më pas në një nga laboratorët e licencuar nga Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA). Mësohet se ka qenë kërkesa e vetë federatës drejtuar ministrisë për të kryer këtë kontroll.
Pas rasteve të fundit me doping dhe që u pasua me gjoba qindra milionësh nga ndërkombëtarët, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka vendosur të jetë tani e tutje më e vëmendshme për të shmangur çdo episod tjetër në disfavor që do ta njolloste edhe më shumë këtë sport elitar.
Kjo do të kishte një kosto të madhe për peshëngritjen shqiptare duke qenë se Europiani është shansi i fundit i kualifikimit për në Lojërat Olimpike "Rio 2016".
Ndërkohë që kombëtarja vijon me intensitet procesin stërvitor në palestrën e Shtërmenit, mësohet së në fundjavë sportistët do t'i ndërpresin këto përgatitje, pasi janë të angazhuar në garën e Kupës së Shqipërisë që do të zhvillohet në kryeqytet më 4 mars në pallatin e sportit "Asllan Rusi". Burime zyrtare pranë federatës bënë me dije për gazetën se nisja e kombëtares drejt Norvegjisë do të bëhet në datën 7 prill.
Komisioni
Veprimtarinë kundër dopingut në Republikën e Shqipërisë e drejton Komisioni Kombëtar Antidoping, i cili është një strukturë këshillimore e ministrit pergjegjës të Sporteve. Përbërja, funksionimi, të drejtat dhe detyrat e këtij Komisioni përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për Sportin.
Komisioni Kombëtar Antidoping dhe Etikës Sportive i rekomandon ministrit përgjegjës për Sportin marrjen e masave të parashikuara ndaj personave që përdorin ose nxisin përdorimin e dopingut.
Sipas rregullores, Federatat pranojnë autoritetin e Komisionit Kombëtar Antidoping dhe Etikës Sportive për kontrollin e sportistëve, anëtarë të tyre dhe dënimin e përdoruesve të dopingut. Ky detyrim përcaktohet në statutin e federatës.
Përgatiti FLORENC MANARI