Formacioni më i mirë i javës, shqiptarët në modë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Është tashmë e modës që shqiptarët të jenë në 11-shet më të mira në kampionate të ndryshme europiane javë pas jave.
As këtë fundjavë nuk mund të ndodhte ndryshe.
Amir Rrahmani në mbrojtje dhe Eros Grezda në sulm janë dy shqiptarët në 11-shen më të mirë të javës në Kroaci, ndërkohë që Armando Sadiku është përfshirë sërish në atë më të mirin helvet.
Kroaci
RNK Spliti i Rrahmanit u mund nga Dinamo e Zagrebit, por gjithsesi shqiptari ka bërë një paraqitje pozitive. Humbje minimale me një gol nga distanca, që nuk ka ndikuar negativisht në performancën e mbrojtësit të Kombëtares.
Përkundrazi, me atë ndeshje, 22-vjeçari ka marrë vlerësimet e mediave kroate. Edhe Eros Grezda është bërë pjesë e këtij formacioni të përzgjedhur. Me dy gola të realizuar për t'i dhënë fitoren Lokomotivës së Zagrebit përballë Osijekut, shqiptari ka arritur të vendoset edhe një herë tjetër mes më të mirëve të kampionatit kroat. Shqiptari me origjinë nga Gjakova ka shkuar në kuotën e tetë golave, falë dopietës së realizuar këtë fundjavë.
Zvicër
Armando Sadiku shënoi këtë javë për t'i dhënë një pikë Vaduzit, që i shërben për të mos rritur diferencën me ekipet e tjera në luftën për sigurimin e mbijetesës.
Kjo është java e dytë radhazi që "Blick" e ka përzgjedhur sulmuesin e Kombëtares mes më të mirëve të javës. Armando Sadiku ishte vendimtar me një gol të realizuar në fillim të fraksionit të dytë të lojës dhe kjo ka bërë që skuadra e vendit të fundit të marrë pikë me një nga ekipet e sipërme të renditjes si Grasshopers.
Shkurt legjionarë
-Ledian Memushaj është i dëmtuar dhe ka munguar në takimin e djeshëm që ka zhvilluar Peskara. Kapiteni pritet të rikthehet jav- ën e ardhshme.
-Sokol Cikalleshi është mundur edhe në ndeshjen e dytë të Kupës së Turqisë nga Rizespor. Takimi i parë ka përfunduar 0-2 në favor të kësaj skuadre që ka triumfuar edhe në ndeshjen e kthimit, në të cilën shqiptari ka qenë në fushë përgjatë 90 minutave. - Mërgim Mavraj është tashmë i përhershëm në formacionin e Këlnit, që ditën e djeshme ka barazuar 1-1 me Ingolstadin.
- Komo e Migjern Bashës ka barazuar 1-1 ndaj Lanccianos, ndërkohë që Livorno e Vajushit ka barazuar pa gola kundër Krotones. Salernitana gjithashtu ka marrë vetëm një pikë pas barazimit 2-2 me Entelën, por Strakosha ka qëndruar në stol.
- Grojtherfyrti i Gjasulës ka fituar 2-0, me shqiptarin autor të një asiti përballë Union Berlinit.
Përgatiti: OLSI TUJANI