e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Xhaxhai i tifozit akuzon policinë: Mikeli u godit, të zbardhet ngjarja

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhaxhai i tifozit akuzon policinë: Mikeli u godit, të zbardhet ngjarja

Është përcjellë dje mes lotëve dhe vajit Mikel Selmanaj, tifozi që ndërroi jetë në përfundim të ndeshjes Flamurtari-Kukësi. Trupi i pajetë i 42-vjeçarit u dërgua pranë shtëpisë së prindërve të tij, në Rradhimë të Vlorës.

Ceremonia mortore e babait të dy fëmijëve: djalit Dino 6 vjeç dhe vajzës Sindi 2 vjeçe, u zhvillua rreth orës 14:00 të së enjtes. Mes qindra tifozëve vlonjatë, në varrim morën pjesë edhe lojtarët e Flamurtarit, bashkë me trajnerin Zekerija Ramadani, si dhe drejtuesit. Klubi i kishte përgatitur edhe një fanellë me emrin Mikel me numrin 12, e cila ju dhurua familjes së të ndjerit. Këta të fundit tashmë kërkojnë zbardhjen e ngjarjes.flamurtariNë një intervistë për "Panorama Sport", xhaxhai i viktimës, Ilirian Selmanaj, kërkon që të dalin në dritë shkaqet e ngjarjes, me qëllim që familjarët të jenë të qetë.

Zoti Ilirian, kur e keni mësuar ngjarjen?

Pak minuta pasi kishte ndodhur. Ishte e tmerrshme, të shkosh për të parë ndeshjen dhe të vdesësh në stadium. Flitet se Mikeli është rrë- zuar nga një punonjës policie.

Jeni në dijeni të kësaj?

Unë sot (dje) që në mëngjes kam takuar prokuroren e çështjes.

I kam kërkuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt. Ka një video që qarkullon në internet dhe mund të shikohet qartë se çfarë ka ndodhur.

Pra, ju akuzoni policinë?

Këtë nuk mund ta them direkt, por kështu thuhet. Dikush e ka shtyrë që ai është rrëzuar. Le të flasë drejtësia, ta zbardhë ngjarjen që të qetësohen gjakrat.

Ka edhe zëra se Mikeli mund të ketë konsumuar alkool...

Jo, në asnjë mënyrë. Ai ishte djalë i rregullt. Para ndeshjes deri në orën 16:00 ishte në Rradhimë te prindërit e tij, ku edhe konsumoi drekë për herë të fundit. Më pas u nis për në stadium. Mikeli jetonte në Vlorë me bashkëshorten dhe dy fëmijët, por shkonte shpesh në Rradhimë, ku kishte prindërit dhe një biznes. Ai nuk pinte alkool dhe ata që përhapin këto fjalë, kërkojnë të fshehin ngjarjen.

Cili është apeli juaj?

Të zbardhet ngjarja, dyshohet se mund të jetë shtyrë nga polici. Sa më shpejt të më- sojmë të vërtetën, me qëllim që të jemi të qetë.

mikel

"Duhej të flisnim për futbollin me bukurinë dhe vështirësitë e tij brenda fushës, por sot është një ditë e trishtë pikërisht për futbollin. Jo vetëm për atë të Flamurtarit, por për gjithë futbollin shqiptar. Humbja e jetës së Mikelit, tifozit të Flamurtarit, largimi para kohe nga jeta e një të riu që jetën e kishte të lidhur me këtë lojë magjike, na e bën edhe më të trishtë këtë ditë duke menduar gjithmonë futbollin. Flamurtari i gjendet në këto momente të vështira pranë familjes së Mikelit, të afërmeve dhe miqve të tij. Klubi Flamurtari humbi një sportdashës, qyteti një njeri të devotshëm, familja njeriun e saj të dashur", shkruhej ndër të tjera dje në faqen e klubit vlonjat në "Facebook" për të ndjerin Mikel Selmanaj.

Përgatiti: ERMAL SIKA