Reagon Flota Kuqezi: E vrau policia e shtetit!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Grupimi i "Flota Kuqezi" reagon ashpër për ngjarjen e fundit në stadium, ndërsa akuzon drejtpërdrejt policinë.
"Marrim shkas nga ngjarja e djeshme që ka ndodhur në stadiumin tonë. Mikeli humbi jetën nga policia e shtetit. Mikeli humbi jetën nga një gomar me uniformë veshur. Nuk po shohim asnjë deklaratë nga zyra e policisë së Vlorës.
Nuk e kuptojmë çfarë roli luani ju polica në stadium? Jeni në stadium për të mbajtur rendin dhe qetësinë apo për të krijuar dhunë dhe panik te tifozët!? Për fajin tuaj dhe pakujdesinë tuaj humbi jetën Mikeli. Turpi ngelet për ju. Mikel, shpirti yt u preftë në paqe. Ti je dhe do të mbetesh aty në stadiumin tënd ku je rritur. Ti je njëri prej nesh", thuhej ndër të tjera në qëndrimin e ultrasve në "Facebook".
Solidarizimi
Grupimet e tifozërive shqiptare janë solidarizuar dje me ngjarjen që ndodhi në Vlorë. Në faqet e tyre në "Facebook", thuajse të gjitha tifozëritë e skuadrave të Superiores kanë ngushëlluar familjen e të ndjerit.
"KF Tirana i shpreh ngushëllime familjes dhe të afërmeve të tifozit vlonjat, Mikel Selmanaj, të ndarë nga jeta aksidentalisht në stadium. Prehu në paqe Mikel!", shkruhej në faqen zyrtare të klubit bardheblu. "Do t'i mungosh stadiumit dhe Flamurtarit Mikel.
Do t'u mungosh familjarëve të tu. Mbase do të duket e çuditshme, por do të na mungosh dhe neve, tifozëve të tjerë që nuk të njohëm kurrë, por që ndamë me ty të njëjtin pasion. Edhe sot ata do të kërkojnë ta lënë përgjegjësinë varur, ndonëse ajo dorë që të shtyu nuk kishte mbase ndër mend të të merrte jetën, por është po ajo dorë arrogante që nuk ka ditur kurrë të sillet në stadium, që nuk ka kërkuar të mësojë të sillet në stadium dhe sipër uniformës së policisë kishte veshur në jo pak raste kafshërinë.
Gjëma një ditë do të ndodhte, këtë e kemi parandier të gjithë. Të duam Mikel, ndonëse nuk të njohëm kurrë!", shkruhej në faqen e ultrasve të Partizanit, "Guerrils".