Xhaka pezullohet me 4 ndeshje
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Taulant Xhaka nuk i ka shpëtuar dënimit nga Federata Zvicerane e Futbollit, që e pezulloi katër ndeshje mesfushorin për një zënkë gjatë ndeshjes Grashopers-Bazel 0-4, e vlefshme për javën e 20-të të Superligës së Zvicrës.
Në minutën e 31-të të takimit, kur rezultati ishte 2-0, gjyqtari kryesor ndëshkoi me karton të kuq sulmuesin e Baselit, Janko, për një ndërhyrje të ashpër ndaj një futbollisti kundërshtar. Ndërkohë që miqtë po protestonin ndaj kryesorit, duke pretenduar se mund të mjaftohej vetëm me një të verdhë, Xhaka bëri një veprim josportiv ndaj Moritz Bauer të dëmtuar, duke e kapur prej flokësh.
Lojtari i Grasshoper ruajti qetësinë, duke ndihmuar që situata të mos degjeneronte më tej. Ky episod nuk u pa nga gjyqtari dhe Xhaka luajti gjatë gjithë ndeshjes, madje u përfshi edhe në formacionin më të mirë të javës nga prestigjiozja "Blick".
Gjithsesi, pamjet filmike u morën si provë nga Komisioni i Disiplinës në Federatën e Zvicrës, që vendosi ta pezullonte 4 ndeshje lojtarin kuqezi. Tashmë Xhaka pritet të apelojë vendimin, duke shpresuar në një reduktim të pezullimit, të paktën nga katër në dy ndeshje. Nuk është hera e parë që mesfushori pezullohet për shkak të këtyre gjesteve.