e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Xhaka i vetëm në Francë, Hysaj sfidon Vijarealin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhaka i vetëm në Francë, Hysaj sfidon Vijarealin

Sot luhen ndeshjet e vlefshme për fazën e 1/16-ave të Europa Ligës ku në fushë do të zbresin të paktën dy shqiptarë.

xhaka
Përveç trajnerit të Anderlehtit Besnik Hasi, Elseid Hysaj dhe Taulant Xhaka do të jenë legjionarët që do të kërkojnë suksesin me skuadrat e tyre respektive. Një i tretë duhet të ishte në fushë për këtë takim, por Lacio ka vendosur që me të gjitha mënyrat të mbështesë Marketin dhe të shmangë në maksimum Etrit Berishën.

Francë - Bazeli do të përballet me Sant Etienin në këtë fazë dhe ndeshja e parë do të luhet në Francë. Taulant Xhaka dhe skuadra e tij shkojnë me një mungesë të madhe në këtë ndeshje: tifozët. Që nga aktet terroriste në Francë, udhëtimi i ekipeve të tjera, që luajnë në shtetin që do të organizojë edhe Europianin në verë, bëhet shumë e kontrolluar.

Nëse në ndeshjen e luajtur në Paris, mes PSG-së dhe Çelsit, londinezët kishin mbështetjen e fansave të tyre, Bazeli nuk do të ketë mbështetës në sfidën me ekipin francez. Autoritetet vendëse në këtë qytet kanë vendosur që sektori mik të qëndrojë i mbyllur këtë ndeshje, në kuadër të masave organizative për takimin, të tilla që shmangin çdo rrezik të mundshëm. Në këtë mënyrë, mesfushori shqiptar i Bazelit, së bashku me skuadrën e tij do të duhet të bëjnë pa mbështetjen e tifozëve.

Napoli - Elseid Hysaj është një nga lojtarët e formacionit bazë të skuadrës italiane. Për ndeshjen në transfertë që skuadra e Sarrit do të luajë në Spanjë kundër Vijarealit, trajneri është shprehur:

"Nuk ka vend për rrotacion. Na pret një ndeshje e vështirë dhe do ta vlerësojmë maksimalisht". Kjo bën të kuptohet se me shumë gjasë mbrojtësi shqiptar do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë dhe Napoli të zbresë me formacionin më të mirë. Në sfidën që Lacio do të luajë kundër Gallatasarajit, në portë do të jetë Marketi.

"Po, do të luajë ai, pasi duhet të hedhim në fushë më të mirët", është shprehur trajneri i Lacios kur është pyetur nëse do të luajë gardiani italian, duke snobuar në njëfarë mënyre Berishën, që është portieri që luan në Kupë dhe në Europa Ligë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI