Volfsburgu del garant: E eliminuam Realin!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Volfsburgu po e shijon në maksimumin momentin e suksesshëm që po kalon, pas triumfit me Realin e Madridit.
Fitorja 2-0 në shtëpi u jep mundësinë "ujqërve" që të besojnë më shumë se kurrë te një kualifikim që do të mbahet mend gjatë. Futbollistët e gjermanëve nuk i kanë kursyer as ironitë ndaj madrilenëve.
Dieter Heking
Trajneri i Volfsburgut, përveç kënaqësisë për suksesin, nuk ka harruar të kritikojë edhe Marselon për simulimin e tij në fushë. "Më vjen keq që Marselo bëri një teatër të tillë. Nuk ka pasur nevojë ta kryente, por meritoi Oskar. Ishte një aktor mjaft i mirë", ka deklaruar kreu i pankinës, Heking. "Ne luajtëm futboll të bukur dhe fituam. Kjo më bën krenar. Kualifikimin e kemi në dorën tonë". Julian Draksler "Realizuam një ndeshje të shkëlqyer. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që nuk na falet eliminimi. Rezultati të jep mundësinë që të jesh me një këmbë në gjysmëfinalet e Champions-it.
Në letër mund të ketë diferenca midis ekipeve, por në fushë zerohen. Gjithsesi, këtë fitore nuk do ta harrojmë kurrë", u shpreh mesfushori. Ai ka luajtur te Shalke me ikonën e Realit, Raul Gonzalezi, për të cilin ka edhe një mesazh.
"Patëm një kontakt të shkurtër para ndeshjes. Mendoj se në fund të saj ka pasur një sy duke qarë dhe njërin duke qeshur. Por, kur të përfundojë edhe dueli i kthimit, jam i bindur që do të qajë me të dy sytë", u shpreh 23- vjeçari duke qeshur.
Luiz Gustavo
"Mendoj se Reali e priste më të lehtë. Treguam forcën tonë dhe mbase mund të kishim shënuar më shumë gola. Realizuam një ndeshje të madhe dhe të gjithë lojtarët duhen përgëzuar. E shfrytëzuam në maksimum faktin që luajtëm para tifozëve tanë. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim maksimumin në Madrid. Atje do të jetë akoma më e vështirë, por kemi dy gola avantazh dhe një mundësi e tillë nuk të vjen shumë shpesh", deklaroi mesfushori Luis Gustavo.