Volfsburgu: I trembemi vetëm arbitrit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Volfsburgu udhëtoi drejt Madridit të hënën duke u treguar shumë i kujdesshëm dhe mos shfaqur shenja euforie, pavarësisht avantazhit 2- 0 që siguruan në ndeshjen e vajtjes.
Gjermanët mundën Realin 2-0 në "Volkswagen Arena" një javë më parë, por i presin sërish 90 minuta të vështira për të përmbushur misionin e tyre historik dhe të eliminojnë në mënyrë të papritur 10 herë kampionët e Europës.
Por optimizmi në kampin madrilen nuk ka munguar dhe, veç trajnerit Zinedin Zidan që parashikoi edhe një goleadë, edhe Kristiano Ronaldo i ka bërë apel "Bernabeu"-t për mbështetje të gjerë që lojtarët të realizojnë misionin e vështirë të përmbysjes.Portugezi paralajmëroi një atmosferë të zjarrtë sot mbrëma dhe përmes këtij presioni "ujqërit" do të mund të zbuteshin. Një gjë e tillë është bërë e qartë edhe nga deklarata që Klaus Alofs, drejtori sportiv i Volfsburgut, lëshoi përpara fluturimit të skuadrës drejt Madridit. Paralajmërimi "Në 'Santiago Bernabeu' mund të ndodhin shumë gjëra. Mund të ndodhin edhe gjëra që as nuk mund të imagjinohen, vendime arbitrare të gabuara për shembull. Kjo mund edhe të mos ndodhë, por ne duhet të jemi të përgatitur për gjithçka", tha shefi i klubit gjerman, i cili e njeh prej shumë kohësh "Bernabeu"-n. Ai ka luajtur me Këlnin në finalen e Kupës UEFA ndaj Realit në këtë stadium në vitin 1986. Madje shënoi edhe golin e vetëm të gjermanëve në këtë stadium, të cilin Reali e përmbysi duke shënuar 5 herë të tjera. "Rezultati i ndeshjes së parë në Gjermani (2-0) është një pikënisje shumë e mirë, por ne nuk jemi favoritë për t'u kualifikuar në gjysmëfinale. A do të ketë luftë? Do të jetë një betejë e ashpër me të gjitha mjetet e lejueshme. Por kjo nuk është koha e luftërave", përfundoi drejtori sportiv.