Dueli i sheikëve, 1.1 miliardë për një biletë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pasi e kanë ndjekur prej vitesh, por pa e arritur kurrë ta prekin, më në fund një prej klubeve do arrijë të ndiejë aromën e finales së Champions-it.
Sot në "Etihad", një prej klubeve të sheikëve, Mançester Siti ose PSG-ja do të divorcohet me kompeticionin përpara gjysmëfinaleve. Më poshtë kemi llogaritur sa i ka kushtuar ky rrugëtim AlKhelaifit dhe Mansurit. Dhe fituesi është...
Bilance të çmendura
PSG u ble nga sheikët në verën e 2011-ës, ndërkohë që Siti iu shit atyre në 2008-ën.
Dhe, për ta ekuilibruar disi sfidën, kemi marrë parasysh vetëm blerjet që klubet kanë bërë në 5-vjeçarin e fundit, të cilat korrespondojnë gjithashtu edhe me vitet që klubet i kanë shkuar më pranë ëndrrës së tyre të gjysmëfinaleve, por pa e prekur dot atë (PSG në veçanti e ka përfunduar rrugëtimin në çerekfinale në 3 sezonet e fundit).
Dhe nga llogaria e Sitit janë përjashtuar transferimet përpara kësaj date të kalibrit Robinjo (43 milionë euro), Adebajor (29 mln), Tevez (29 mln), Xheko (37 mln), Jaja Toure (30 mln), Baloteli (29,5 mln), David Silva (28,75 mln), Kolarov (12,5 mln) etj.
PSG
E nisim nga francezët: Tiago Silva kushtoi 42 mln (nga Milani), por nuk është as në podin e blerjeve më të shtrenjta të Al-Khelaifit këto 5 vite: Pastore (42 mln nga Palermo në 2011), goditja e parë e madhe e sheikëve.
Të tjerët janë: Tiago Mota (11,5 mln nga Interi); Lukas (40 mln nga Sao Paulo), Ibra (21 mln nga Milani); Verrati (12 mln nga Peskara); Kavani (64,5 mln nga Napoli); Markinjos (31.4 mln nga Roma), David Luiz (49.5 mln nga Çelsi), mbrojtësi më i shtrenjtë në histori; Di Maria (63 mln nga Junajtid), goditja e fundit e madhe dhe më e dyta më e kushtueshme në historinë e PSG-së dhe Trap (9.5 mln nga Frankfurti). Në total fatura shkon në 558.6 milionë euro.
Mançester Siti
Edhe për Sitin kalkulimet tona nisin nga 2011-ta, vit kur u kualifikuan për herë të parë në Champions. Goditja e Agueros për 40 mln nga Atletiko konsiderohet më e madhja e sheikut Mansur.
Në të njëjtën merkato erdhi Nasri (27.5 mln nga Arsenali); Fernandinjo (40 mln nga Shahtjori); Hezus Navas (20 mln nga Sevija); Mangala (40 mln nga Porto); Boni (32.3 mln nga Suonsi); Fernando (15 mln nga Porto); De Brujne (74 mln nga Volfsburgu), blerja rekord e Sitit; Sterling (62.5 mln nga Liverpuli), anglezi më i shtrenjtë në histori; Otamendi (44.6 mln nga Valencia); Delf (11.5 mln nga Aston Vila); dhe me 569.6 milionë të shpenzuara ndaj 558.6 të kolegut të tij (diferenca 11 milionë euro), pronari i Sitit, Mansur, fiton derbin e sheikëve.
Por sot fjalën e fundit do ta thotë fusha: mbi 500 milionë euro për një gjysmëfinale Champions-i. Por vetëm njëri nga të dy do të festojë...
BLERJET MË TË SHTRENJTA
MAN.SITI
De Brujne 74 mln euro
Sterling 62.5 mln euro
Otamendi 44.6 mln euro
Aguero 40 mln euro
Fernandinjo 40 mln euro
Mangala 40 mln euro
Boni 32.3 mln euro
Nasri 27.5 mln euro
PSG-ja
Kavani 64.5 mln euro
Di Maria 63 mln euro
David Luiz 49.5 mln euro
Tiago Silva 42 mln euro
Pastore 42 mln euro
Lukas 40 mln euro
Markinjos 31.4 mln euro
Ibrahimoviç 21 mln euro
Përgatiti: ANDROKLI DRALO