Volejbollistja e Tiranës/ Reagimi, Agolli: Ja e vërteta e sherrit në derbi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dje në mbrëmje, volejbollistja e Tiranës, Stela Agolli, e akuzuar nga skuadra e Partizanit si protagoniste e sherrit në derbin e kryeqytetit në fundjavë ndaj Tiranës, ka dhënë versionin e saj.
"Pas mbarimit të ndeshjes, kam firmosur protokollin dhe bashkë me shoqet e ekipit kemi përshëndetur tifozët e skuadrës sonë që na mbështetën dhe brohoritën.
Në këtë moment, Ilir Thanasi, trajneri i Partizanit, më tërheq nga krahu dhe më shtyn duke më thënë 'çfarë do ti nga ana e gocave të Partizanit'. Kjo gjë krijoi tension ku u përfshinë thuajse të gjitha vajzat e Tiranës dhe Partizanit. Në këtë situatë kam pasur një shtyrje me duar me lojtaren e Partizanit, Livia Xhaferri. Në asnjë rast nuk e kam goditur me shkelm trajnerin e Partizanit apo të kem goditur me grusht lojtaren e Partizanit. Kjo është krejtësisht e pavërtetë.
Unë me Livian kemi qenë dhe mbetemi shoqe, megjithëse luajmë me skuadra të ndryshme. Pasi kemi dalë nga dhomat e zhveshjes, gjithçka është sqaruar në palestrën e Tiranës, mes prindërve dhe oficerëve të policisë. Pra nuk ka pasur asnjë denoncim në polici apo shoqërim në polici", shprehet fillimisht në sqarimin e saj volejbollistja bardheblu. Ajo akuzon trajnerin e skuadrës rivale si shkaktar të incidentit.
"Burimi i tensionit që u krijua pa shkak ishte trajneri i Partizanit. Unë nuk kisha asnjë arsye për të krijuar tension, pasi ekipi im sapo kishte fituar ndeshjen e radhës me Partizanin. E vërteta është se vitet e fundit, ndeshjet me Partizanin tensionohen nga jashtë dhe kryesisht nga qëndrimet e trajnerëve. Vitin e kaluar, në ndeshjen me Partizanin, te palestra e Partizanit, janë nxjerrë përjashta me forcë gjyqtarët e ndeshjes nga trajneri i Partizanit.
Kemi luajtur me një gjyqtar që është trajner tek ekipi zinxhir i Partizanit dhe megjithatë kemi fituar 3-2. Për atë që ndodhi vjet, askush nuk mori asnjë masë. Trajneri i Partizanit, Ilir Thanasi, para 2 vitesh është dënuar nga federata pasi ka goditur me grusht gjyqtarin e ndeshjes finale. Ndërsa unë si lojtare deri tani nuk kam marrë asnjë karton për sjellje të parregullt. Ishte një incident që nuke nisa unë. Megjithatë, unë i kërkova falje shoqes sime Livia dhe i dhamë dorën njëra-tjetrës në fund, në prezencë të prindërve dhe oficerëve të policisë.
Tirana është kampione absolute prej disa vjetësh, falë punës së palodhur që kryen trajnerja Rudina Omari. Kjo gjë duket që shkakton xhelozi te disa persona që nuk arrijnë dot rezultatet tona. Ndaj përpiqen që të na dëmtojnë duke sajuar të pavërteta", e mbyllte reagimin e saj volejbollistja Agolli. Ndërkohë Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Volejbollit e ka shtyrë për sot shpalljen e vendimit pas incidenteve të ndodhura në derbin e të rejave Tirana-Partizani.