e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Vlonjatët, notë proteste në FSHF: Ja ku gaboi gjyqtari

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vlonjatët, notë proteste në FSHF: Ja ku gaboi gjyqtari

Klubi i Futbollit Flamurtari do të dërgojë një notë proteste në FSHF. flamurtari bylisDrejtuesit kanë përgatitur shkresën, e cila pritet që të mbërrijë sot në institucionin më të lartë të futbollit në vend. Nëpërmjet saj do t'i vendosen në dijeni FSHF-së të gjitha provat, ku sipas klubit vlonjat arbitri ka vepruar gabimisht në shumë raste dhe në dëm të Flamurtarit, sidomos në takimin e fundit ndaj Bylisit.

Deklarata

Dje klubi vlonjat ka dalë me një tjetër komunikatë për mediat ku thuhet: "Duke u nisur nga komentet në portale të ndryshme, por edhe në median e shkruar dhe vizive, mbi ngjarjet në ndeshjen e fundit, e ndiejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin sportiv, atë që për ne është thelbi i qëllimit të gjyqtarit në këtë takim.

Pasi nuk akordoi penallti, gjyqtari ka ndëshkuar gabimisht numrin 22 me karton të verdhë dhe fatkeqësisht për të rezultoi me kartonin e dytë të verdhë, pra i kuq. Pas protestës së numrit 22 dhe me ndihmën e asistentit Avdo (që për hir të së vërtetës e njeh më mirë kampionatin shqiptar), gjyqtari detyrohet ta anulojë këtë vendim. Në këtë moment, autori i ndërhyrjes, numri 17, merr një sinjal nga asistenti Avdo dhe largohet.

Pranë gjyqtarit afrohet numri 6, i cili në momentin e faullit ndodhej në shtyllën e dytë dhe i 'lutet' këtij të fundit që kartonin e verdhë t'ia jepte atij, pasi ai ishte i pandëshkuar deri në atë moment. Dhe, kështu ndodhi, ndëshkohet numri 6, i cili për çudi e shpreh falënderimin ndaj gjyqtari me një duartrokitje.

Kujtojmë që e gjitha kjo ndodhi në minutën e 70-të dhe, në rast se do të kishim një ndëshkim me karton të dytë të verdhë të numrit 17, loja mund të merrte një rrjedhë tjetër, pasi do të barazoheshin forcat në fushë. Mos vallë gjyqtari u hutua dhe i doli ndeshja nga duart, edhe pas ndihmës së asistentit?

Në qoftë se po, pse nuk ndëshkoi numrin 5, i cili ishte gjithë kohën para tij duke protestuar? Apo mos vallë asistenti në këtë rast e bëri detyrën e tij duke e njoftuar gjyqtarin që ky lojtar ishte i ndëshkuar me një karton të verdhë?!

Ky episod është pasqyra e qartë e qëllimit të gjyqtarit dhe asistentëve të tij që në këtë ndeshje Flamurtari duhet të frenohej. 'Flamurtari Football Club' ka dyshime të forta se as naiviteti, as paaftësia e kësaj treshe gjyqtarësh nuk e përligj guximin e tyre", lexohet në deklaratën për mediat.

Përgatiti: Ermal Sika