Alban Hoxha lëshon sirena largimi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Alban Hoxha është një nga shtyllat e Partizanit, por në fund të sezonit të kuqtë mund t'i humbasin shërbimet e "gardianit", i cili shpreson që të transferohet në një kampionat më të fortë.
Kjo është një dëshirë e kahershme e kapitenit të Partizanit, por sirenat e largimit ai i ka shprehur para derbit për kanalin francez, "Canal+".
Për të arritur këtë hap të madh në karrierën e tij, portieri i të kuqve të kryeqytetit kërkon që t'i vijë në ndihmë edhe përvoja me ekipin kombëtar, që për herë të parë merr pjesë në një kompeticion të madh ndërkombëtar, europianin "Francë 2016".
Duke qenë se në Shqipëri ka arritur shumë gjëra, Hoxha shpreson që të nisë një karrierë të re jashtë vendit.
"Pasi kam arritur shumë në kampionatin shqiptar, shpresoj që këtë vit, edhe me ndihmën e ekipit kombëtar, të arrij që të transferohem në një kampionat më të fortë", u shpreh para derbit të kryeqytetit për "Canal+" portieri Alban Hoxha. Ndërsa pas suksesit me Tiranën kapiteni i të kuqve u shpreh sërish për kanalin televiziv francez. Hoxha deklaroi se si fillim do titullin me Partizanin dhe një paraqitje sa më të mirë me Kombëtaren në Francë.
"Ky është një sezon shumë i mirë për ne që luajmë me Partizanin. Shpresoj që në fund të dalim kampion dhe me Shqipërinë të shkojmë sa më larg në Europianin e Francës", pohoi Hoxha pas derbit me Tiranën.