Partizani akuzon Takajn: Korçarët caktojnë arbitrat
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani nuk mund ta harrojë lehtë bara zimin me Skënderbeun në Ditën e Verës dhe dje ka shpërthyer në akuza ndaj presidencës korçare, që drejtohet nga Ardjan Takaj.
Sipas një komenti të faqes zyrtare, presidenca korçare vendos arbitrat. Partizani të hënën ka shpërdoruar një mundësi të artë për fitimin e titullit kampion, pasi në minutën e 89-të u rrëshqet fitorja nga duart. Por, në rast se të kuqtë do të shënonin me Raçiç nga pika e bardhë e penalltisë, në minutën e 76-të, gjithçka do të ishte ndryshe.
Pas ndeshjes, drejtuesit e Partizanit dhe lojtarët janë ankuar për gjykimin. Sipas tyre, goli i Skënderbeut erdhi nga një faull i paqenë. Arbitri Enea Jorgji ka qenë një nga të kontestuarit, por në javën përgatitore për këtë takim nuk pati asnjë kusht nga klubet, duke ditur se edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, kishte shpallur të padëshiruar gjyqtarët nga kryeqyteti në ndeshje të tilla. Për këtë sfidë ka pasur dakordësi në pranimin e gjyqtarit të ndeshjes, por pas përfundimit të sfidës dhe një ditë më pas të kuqtë e kryeqytetit në njëfarë mënyre humbjen e dy pikëve ia faturojnë edhe arbitrit të FIFA-S, Enea Jorgji.
Akuza në "Facebook"
Mbrëmë, faqja zyrtare e Partizanit në "Facebook" ka publikuar një foto të momentit të gjuajtjes së penalltisë së Raçiç, ku shikohet se portieri Shehi ka lëvizur para kohe, si dhe dy lojtarë kanë hyrë në zonë pa u goditur topi nga pika e bardhë nga ana e sulmuesit serb. Fotoja denoncuese e të kuqve shoqërohej me diciturën: "Mjaft më". Por statusi nuk është pritur mirë nga tifozët dhe dashamirësit e Partizanit, të cilët e konsiderojnë si justifikim të klubit, për mosrealizimin e qëllimit për këtë ndeshje. Sipas tifozëve, drejtuesit e Partizanit e pranuan vetë gjyqtarin Jorgji, i cili u akordoi edhe penalltinë që nuk u realizua nga Raçiç. Pas kësaj përgjigjeje, mbase në një gjendje emocionale të rënduar, faqja zyrtare ka replikuar duke hedhur akuza ndaj korçarëve. Ja komenti i faqes së klubit: "Nuk i shkon këtij Partizani të madh të caktojë vetë arbitrat. Këtë e bën presidenca e korçarëve. Padrejtësitë gjithmonë duhen kontestuar. Nuk mund askush të 'tallet' me investimet e klubit, djersën e lojtarëve dhe mundin e tifozëve".