Vllaznia e Cungut thyen rekorde, faza e tretë më e mira
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Që Vllaznia ka ndryshuar totalisht, këtë e dëshmojnë më së miri shifrat. Dhe faza e tretë e këtij kampionati është pa dyshim më e mira e këtij sezoni.
Mjafton të bësh një hulumtim të thjeshtë dhe e kupton qartazi se kuqeblutë në 9 ndeshjet e fundit kanë grumbulluar më shumë pikë sesa në dy fazat e para të mbledhur bashkë.
Krejt ndryshe nga 18 javët e para, ku ekipi kishte vetëm 15 pikë, skuadra nën drejtimin e Cungut ka treguar një nivel të kënaqshëm dhe kjo e shoqëruar me rezultate pozitive. Nga 27 pikë të mundshme, ata kanë siguruar 14.
Ndoshta nuk është perfeksioni, por brenda vetes Vllaznia po thyen rekorde. Skuadra ka zhvilluar 5 takime në fushën e vet dhe 4 në transfertë. Kuqeblutë në fush- ën e tyre krejt ndryshe nga 9 takimet e pjesës së parë të sezonit kanë humbur vetëm një përballje siç ishte ajo me Kukësin. Ndërsa në katër takimet e tjera kanë arritur dy fitore e dy barazime. Ndërsa në dy transfertat e kësaj faze të tretë ato kanë arritur që të fitojnë ndaj rivalëve direkt për mbijetesë, si Tërbuni dhe Bylisi.
Në këto fazë kanë shënuar 11 gola dhe pësuar 7. Në të gjitha aspektet, Vllaznia e drejtuar nga Cungu dhe stafi i tij ka qenë më e suksesshme. Pavarë- sisht se në janar pati më shumë largime sesa afrime, skuadra ka qenë më efektive. Në fakt, emra si Vrapi, Tafili e Dibra kanë ndikuar në ndryshimin e mentalitetit të ekipit. Madje, edhe pa një sulmues të deklaruar (sikundër kishin Sozën, në dy fazat e par), skuadra arriti që në 9 takime të ishte efektive para portave kundërshtare. Numri i golave të pësuar ka qenë 7, nga 23 të tillë të pësuar gjatë dy fazave të para.
Rezultatet flasin për një Vllazni që jo vetëm ka zhvilluar një lojë më të mirë në mbrojtje, por edhe një skuadër që ka funksionuar mirë në sulm. Vetëm në 3 takime nga 9 të luajtura në këtë fazë ajo nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Kjo ecuri e fazës së tretë pritet që të pasqyrohet edhe në 9 përballjet e fundit të këtij sezoni. Pavarësisht se do të ketë 5 takime në transfertë dhe 4 në shtëpi, kuqeblutë po japin sinjale të forta që mbijetesa nuk do të diskutohet kurrsesi.
Përgatiti: Admir Uruçi