e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Laluci jep garanci: Kupa prioritet, e kalojmë Kukësin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laluci jep garanci: Kupa prioritet, e kalojmë Kukësin

Drejtori sportiv i Flamurtarit, Vangjel Laluci, ka vlerësuar Kukësin si një kundërshtar mjaft të fortë në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. flamurtari"Kukësi është një ekip prestigjioz. Këto vitet e fundit i ka dhënë tonusin kampionatit dhe ndeshjeve të Kupës. Nuk është se kishim ndonjë preferencë të veçantë, pasi të tri skuadrat që janë në këtë fazë janë prestigjioze dhe me vlera e cilësi shumë të larta. Nuk kishte arsye as që të gëzoheshim, po as të hidhëroheshim pas këtij shorti.

Le t'ia lëmë fushës dhe në finale të shkojë ai që fiton dhe e meriton", u shpreh Laluci për "Panorama Sport". Më pas ai ka thënë se skuadra do të tentojë surprizën, si dhe do të gjejë forca për të reaguar.

"Futbollit po i hoqe surprizën duhet ta quajmë diçka tjetër dhe jo me këtë emër. Kjo lojë i ka të gjitha të përfshira. Askush nga ne nuk mund të parashikojë se çfarë mund të ndodhë. Ajo çka mund të them, është se ne, duke qenë se kemi pozita jo të mira në kampionat, Kupën e kemi prioritet.

Do ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, kuptohet brenda kornizës së 'fair play'-t dhe jo me mjetet të tjera. Pavarësisht nga rezultatet e dobëta që kemi marrë në këto ndeshjet e fundit, jua them me bindje se do të dimë të reagojmë që t'i japim tonin kampionatit dhe Kupës, duke u përfaqësuar me dinjitet", mbylli Laluci.

Përgatiti: E.Sika