Sina vë bast: Tirana, në Europë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Elvis Sina beson se Tirana do jetë në Eu ropë. Me rikthimin e të dëmtuarve dhe nëse luhet me shpirt, ky objektiv do të jetë plotësisht i realizueshëm.
Ish-kapiteni i bardhebluve, aktualisht drejtor i akademisë, në një intervistë për "Panorama Sport" u bën skanerin tri fazave të para, ndërsa tregon edhe elementët e spikatur që mund të jenë e ardhmja e 24 herë kampionëve të vendit.
Pasi janë mbyllur tri faza kampionat, si e gjykoni ecurinë e Tiranës?
Ka qenë një sezon plot oshilacione dhe rrjedhimisht vendi i 5-të nuk është i duhuri për Tiranën. Jemi në një pozitë që askujt s'i pëlqen, por fakti që jemi ende në lojë për zonën "Euro" nuk na lejon që të deprimohemi.
Cili është shkaku kryesor i gjithë këtyre luhatjeve?
Mungesat kanë një ndikim madhor. Luhatjet e javëve të fundit kanë ardhur pa diskutim nga dëmtimet e disa lojtarëve me shumë peshë në ekip. Mjafton të përmend Gent Muçën, pa të në fushë as ekipi nuk ka ecur, duke vërtetuar edhe një herë që ka cilësitë e një lideri. Shto këtu Karanin, apo edhe Vucajn, që e ka penalizuar shumë dëmtimi.
Kur kanë mbetur edhe 9 ndeshje, e shihni Tiranën në Europë?
Nëse grupi kompletohet në organikë, pra rikthehen edhe mungesat e mëdha, nëse luhet me shpirt, asgjë nuk është e pamundur. Të mos merren me kundërshtarët, por të marrim maksimumin në ndeshjet e veta. Nëse ia dalin, atëherë Tirana shkon në Europë, më duket mision totalisht i mundshëm.
Mungesa e një sulmuesi e ka penalizuar ekipin?
Po, sigurisht. Me një sulmues të mirëfilltë do ishte gjithçka më e lehtë. Por unë do jepja një sugjerim, që zgjidhjen ta gjejmë brenda familjes. Prendi, edhe pse nuk ka eksperiencë, është një element që mund të mbushë vakumin e krijuar në majën e sulmit.
Të kthehemi te derbi, çfarë emri i vendosni humbjes së fundit ndaj Partizanit?
Dihet rëndësia e derbit, madje çdo lojtar mezi e pret këtë ndeshje që të tregojë veten. Përballje të tilla edhe humben, por jo në atë formë. Ishte një ndeshje për t'u harruar, por shpresoj që të jetë e fundit dhe në fazën e katërt të vijë kthesa. Kualitetet nuk na mungojnë dhe për më tepër grupi ka mbështetjen e pakushtëzuar të drejtuesve dhe stafit.
Si drejtor i akademisë morët një fitore personale, duke parë elementë si Peçi e Deliaj në fushë kundër Kukësit?
Ndihem i kënaqur pa diskutim. Por Peçi nuk përbën më risi, pasi u bë muaj që është me ekipin e parë. Deliaj është prurje e re dhe luajti në dy pozicione, paçka se mua personalisht më pëlqen më shumë si qendërmbrojtës. Do ta përgëzoja trajnerin për zgjedhjen që bëri.
A mund të thuhet që akademia mund të jetë burim për organikën e Tiranës?
Aspiratat janë të mëdha. Duam që numri i produkteve të shtohet, pasi U-19 ka shumë elementë të perspektivës. Janë 6-7 emra që janë gati për ekipin e parë dhe nën vëzhgimin e vazhdueshëm të trajnerit Daka. Në Shkodër për shembull mori Jotin dhe Berishën, por veç tyre premtues janë Doka, Mumajesi, por edhe shumë të tjerë. Po titullin kush e merr? Besoj se kjo histori u vulos në ndeshjen mes Partizanit dhe Skënderbeut.
Përgatiti: ADELA MERKO