Vidal te Çelsi, Ançeloti thërret Markizion në Mynih
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Firma e Antonio Kontes me Çelsin pritet të ndezë merkaton e kësaj vere, duke qenë se në Londër duan të bëjnë gjëra të mëdha për të ringritur skuadrën, prandaj shumë nga lëvizjet e futbollistëve do të varen nga ofertat e presidentit rus, Roman Abramoviç.
Ky i fundit e ka marrë të qartë sinjalin se trajneri italian kërkon Arturo Vidalin në skuadër dhe për mesfushorin e Bajernit të Mynihut, i cili nuk ia ka mbyllur derën një ribashkimi me Konten, pa dyshim që oferta prej 40-50 milionë eurosh e bluve mund të pranohet nga gjermanët.
Drejtuesit e klubit nga Mynihu nuk i kanë pëlqyer disa bëma të Vidalit, përveçse disa deklaratave në lidhje me Konten, prandaj nuk pritet të bëjnë rezistencë.
Kjo edhe për faktin se nga ana tjetër, trajneri i ardhshëm i gjigantëve të Bundesligës, Karlo Ançeloti, është i bindur se mund të tërheqë në "Allianz Arena" Klaudio Markizion. Mesfushori 30-vjeçar i Juventusit është një dëshirë e vjetër e "Karletos", i cili kërkoi ta tërhiqte edhe te Reali i Madridit, por ndoshta, duke parë që mosha e futbollistit kalon, ky mund të jetë rasti i fundit që një skuadër si Bajerni të shtrin dorën, për të tentuar fitoren e Champions-it.
Ançeloti ka urdhëruar Rumenigen dhe bordin bavarez që të bëjnë një sakrificë financiare, gati 50 milionë euro, një shifër kjo, e cila mund të vërë në vështirësi reale drejtorin Marota dhe presidentin Anjeli, të cilët mund të shtyjnë për mbylljen me sukses të tratativës. Gjithsesi, deri në verë ka shumë kohë për të bërë vlerësimet.