Tefik Osmani: Fitojmë në Kukës dhe marr një javë leje
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tefik Osmani e ka të vështirë të dalë nga roli. I njohur për batutat që bën, mbrojtësi i Skënderbeut e merr me sportivitet edhe mosaktivizimin në ndeshje të veçanta, ku për trajnerin Josa nuk shihet si zgjedhje e parë.
Në një intervistë për "Panorama Sport", shtatlarti korçar flet për ndeshjen e nesërme ndaj Kukësit, aludimet për humbjen në Laç, por jo vetëm. Ai thekson se te Skënderbeu luan sa herë që ka nevojë presidenti Takaj, pasi me të ka firmosur një kontratë në avion.
Tefik, humbja në Laç provokoi shumë aludime. Ju si e patë atë takim?
Normalisht edhe unë nëse nuk do të isha pjesë e Skënderbeut, si çdo shqiptar tjetër, do të kisha aludimet e mia. Ne kemi gjithmonë dyshime, madje edhe për ndeshjen Barcelona-Real Madrid, e jo më për ato të kampionatit shqiptar.
Gjithsesi, bëtë një hap mbrapa në Kupë me atë eksperiment...
Jo, nuk do të thosha kështu. Ne kemi humbur vetëm me rezultatin 1-0 në Laç. Do të jetë e vështirë përmbysja, por asnjëherë nuk mund ta quajmë të pamundur. E rëndësishme është që të mos pësojmë gol në Korçë dhe gjithçka është e mundur për kualifikimin.
Të dielën ju pret një transfertë delikate në Kukës, aty ku sezonin e kaluar vulosët titullin e pestë radhazi...
Një vit më parë kemi arritur të fitojmë në Kukës, pavarësisht se nuk ishte e njëjta situatë si këtë sezon, sepse i kishim rival kryesor për titull. Këtë vit presioni nuk është aq i madh dhe ne kemi eksperiencën e duhur për të fituar. Do të luftojmë fort për një rezultat pozitiv.
Gjeni një Kukës në formë, i druheni?
Kukësi në këto javët e fundit është kthyer në një ekip mjaft të fortë dhe ndoshta më në formë i momentit prej rezultateve që ka arritur. Kjo të bën ta vlerësosh maksimalisht kundërshtarin dhe besoj që do të jetë një ndeshje e fortë. Ata janë një ekip i konsoliduar dhe meritë për këtë ka trajneri Duro, që ka ditur të bashkojë grupin, pasi më parë nuk ka qenë kaq i lidhur. Grupi është pika më e fortë e tyre.
Mendoni se do të përsëritet historia e vjetshme?
Skënderbeu ka vite që armën e fortë ka grupin dhe prej kohësh luajmë bashkë. Për këtë, mendoj se jemi ne më të favorizuar në këtë takim.
Gjashtë pikë diferencë nga Partizani, jeni më të qetë tani?
Po, është një shkëputje për të qenë disi më të qetë. Megjithatë, llogaritë do t'i bëjmë pasi të kemi kaluar Kukësin. Me gjashtë pikë avantazh, mendoj se do të ishte fatale për ne nëse do të humbim titullin. Unë jam i bindur se nuk ka për të ndodhur. Mbeten edhe tetë takime deri në fund.
Cilin mendoni më decizivin për titullin?
Me gjithë respektin për ekipet e tjera, besoj se tre takimet kyçe për ne do të jenë kundër Kukësit, Tiranës dhe Teutës në transfertë.
Nuk e llogarisni atë kundër Partizanit?
Nuk po e fus ndeshjen direkte me Partizanin, pasi nëse arrijmë të fitojmë këto tre takime që përmenda më sipër, ajo me të kuqtë do të shërbejë vetëm për të kënaqur tifozët tanë në stadium.
Keni qëndruar në stol takimet e fundit, jeni i zhgënjyer?
Unë jam një lojtar i veçantë, sepse jam i pari që kam firmosur një kontratë në avion dhe luaj sa herë që ka nevojë presidenti Takaj.
Çfarë doni të thoni me këtë, nuk do të luani as në Kukës?
Nëse fitojmë në Kukës, kam një javë leje nga vetë presidenti.