Vetem Kukesi nderon Shqiperine
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kukësi mbetet skuadra e vetme shqiptare që kalon në turin e dytë të Europa League, pasi ka eliminuar estonezët e Flora Talin. Ndonëse debutues në arenën ndërkombëtare, ekipi kuksian ka mbrojtur më së miri ngjyrat e flamurit shqiptar, duke kaluar turin, ashtu siç nuk e kanë bërë dy ekipet e tjera që merrnin pjesë në këtë aktivitet, Laçi dhe Teuta. Kjo e fundit është mundur dje shumë lehtë 2-0 në fushën e Daçia Kishiniev pa bërë asnjë gjuajtje në portë, duke i dhënë lamtumirën turneut falë rregullit të golave jashtë fushe.
Kukësi-Flora Talin 0-0
“Hirushja” e futbollit shqiptar vazhdon me mrekullitë e saj, duke treguar se çdo arritje është më se e merituar dhe aspak rastësore. Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu ka arritur të mbrojë në “Qemal Stafa” më së miri barazimin 1-1 të sfidës së parë transfertë ndaj ekipit estonez të Flora Talin për të kaluar në turin e dytë të Europa League.
Nënkampionët e Shqipërisë fillimisht kanë tentuar që të sulmojnë dhe të kërkojnë një gol që do të afronte më shumë kualifikimin, gjë që tregohet edhe nga rastet e shumta që janë krijuar në minutat e fundit të pjesës së parë. Por në pjesën e dytë, kur ishte e nevojshme që të garantohej tashmë ky rezultat që gjithsesi kalonte skuadrën kuksiane, ata kanë ditur të mbrohen më së miri përballë sulmeve të kundërshtarëve. Plani i Kukësit nuk është prishur as nga kartoni i kuq i Musollit vetëm 10 minuta para fundit të ndeshjes, pasi u ka rezistuar estonezëve të Flora Talin për të marrë një rezultat që i dërgon në turin tjetër të Europa League, si “flamurmbajtësja” e Shqipërisë në këtë aktivitet.
Daçia Kishiniev-Teuta 2-0
20’ Stoleru, 75’ Pavlov
Gjithçka e mirë e thënë për ndeshjen e parë të Teutës në këtë edicion të Europa League, asaj fitore 3-1 në Durrës përballë Daçia Kishiniev, është fshirë menjëherë në humbjen 2-0 në transfertë që ka eliminuar durrsakët nga turneu. Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani nuk ka shfaqur thuajse asgjë nga ajo paraqitje e ndeshjes së parë. Statistika absurde e 0 gjuajtjeve në portë nga ana e durrsakëve në këtë ndeshje tregon më së miri nivelin e shfaqur nga ky ekip, ndërsa kanë lindur menjëherë dyshime se kjo nuk ishte thjesht paaftësi e bregdetarëve.
Ndonëse Teuta është paraqitur në Moldavi me formacionin identik si në ndeshjen e parë, të cilën e dominoi, ideja e lojës këtë radhë ishte të mbante topin dhe të administronte suksesin 3-1. Por kjo taktikë ka rezultuar e dështuar që në pjesën e parë, pas golit të avantazhit të Stoleru dhe pastaj traversës së goditur nga Pavlov. Gjithsesi, kjo nuk ka bindur durrsakët të ndryshojnë stilin e tyre të lojës së mërzitshme, ndonëse në fushë kishin lojtarë si Mancaku e Xhafaj, të cilët mund të krijonin rreziqe në prapavijën kundërshtare. Ndaj goli i dytë i vendasve me Pavlov në minutën e 75 ishte më se i pritshëm dhe thjesht dekretoi kualifikimin e skuadrës që e kërkoi më shumë turin e dytë. Për ekipin shqiptar, mbetet vetëm shija e hidhur e një tjetër eliminimi, siç ka ndodhur rëndom për Teutën në vitet e fundit në arenën ndërkombëtare.
Kukësi-Flora Talin 0-0
Kukësi: Halili, Brahja, Hallaçi, Malakarne, Peqini, Progni, Allmuça, Alikaj (66’ Malota), Musolli, Popoviç (83’ Malindi), Hoxha (90’+4’ Manuka).
Trajner: A. Cungu
Flora Talin: Merits, Mets, Jyrgenson, Palatu, Mikadze (86’ Adou), Van De Strek, Labus (64’ Post), Frolov, Luigend, Alliku, Prosa (64’ Logua).
Trajner: M. Lelov
Gjyqtarë: M. Uitbi, G. Xhouns, L. Eduards (Uells)
KV: Progni, Malota / Jyrgenson, Palatu
KK: Musolli
Daçia-Teuta 2-0
Shënues: 20’ Stoleru, 75’ Pavlov
Daçia: Matiugin, Posmak, Ilesku, Lapushenko, Koçiuç (56’ Ovseanikov), Grosu (83’ Molla), Mihaliov, Ogada, Stoleru, Pavlov (85’ Orlovski), Orbu.
Trajner: I. Negresku
Tueta: Rizvani, Osmani, Jakupi, Idrizaj (46’ Sakaj), Buiu, Hodo, Dosti (83’ Deliallisi), Mancaku, Nika, Hyshmeri (80’ Cyrbja), Xhafaj.
Trajner: G. Magani
Gjyqtarë: N. Hani, B. Zurbrug, K. Sanxhiovani (Zvicër)
KV: Koçiuç, Ovseanikov, Ogada / Hodo, Sakaj