Vermaelen zgjedh Barcelonen: Ky eshte klubi më i madh ne bote
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zubizarreta: Thomas është një lojtar i kompletuar, i fortë në luftën në ajër dhe i aftë të mbulojë si qendrën e mbrojtjes, ashtu edhe krahun, çka na jep mundësi të jemi të aftë të ndryshojmë skemë gjatë zhvillimit të ndeshjes
Thomas Vermaelen, 28 vjeç, është mbrojtësi më ri i Barcelonës. Lojtari që sezonin e shkuar luajti me Arsenalin refuzoi ofertën e Manchester United për t’iu bashkuar katalanasve. “E falenderojmë Vermaelen që refuzoi Manchester United, një nga skuadrat më të mëdha në botë për t’u bashkuar me ne”, – u shpreh Andoni Zubizarreta, Drejtori Sportiv i Barcelonës gjatë prezantimit të lojtarit. “Thomas është një lojtar i kompletuar, i fortë në luftën në ajër dhe i aftë të mbulojë si qendrën e mbrojtjes, ashtu edhe krahun, çka na jep mundësi të jemi të aftë të ndryshojmë skemë gjatë zhvillimit të ndeshjes”, – vijoi Zubizarreta. Vermaelen në fjalën e tij, gjatë prezantimit në “Camp Nou” u shpreh mjaft i lumtur për aventurën e re, ndërsa sqaroi se për të Barcelona është skuadra më e mirë në botë. “Për mua, Barcelona është skuadra më e mirë në botë dhe e pata mjaft të lehtë t’i thosha po ofertës katalanase”, – tha Vermaelen. 28-vjeçari iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve lidhur me dëmtimin e tij, që i kushtëzoi performancën sezonin e shkuar.
“Tani jam mirë, – tha Vermaelen.- Sezoni i shkuar ishte pak i vështirë, por tani dua të shoh përpara dhe kam dëshirë të luaj sa më shumë dhe të ndihmoj skuadrën drejt sukseseve të reja. Uroj të jem më i fortë këtë sezon dhe t’i ofroj klubit më të mirën. Mezi po pres të nis stërvitjen, pasi ky është një fillim i ri për mua”, – nënvizoi Vermaelen. Zubizarreta nga krahu tjetër u shpreh mjaft optimist mbi formën e lojtarit. “Do t’i duhen disa javë deri sa të vijë në formë maksimale, pasi ai nuk luajti as në Botëror dhe është prapa me përgatitjet, por rezultatet e analizave treguan se lojtari është plotësisht i rikuperuar”, – përfundoi drejtori sportiv i Barcelonës. Lojtari u kushtoi katalanasve 15 milionë euro dhe në rast se Barcelona do të fitojë Ligën e Kampioneve brenda pesë sezoneve, do të derdhë në arkat e Arsenalit dhe 3.8 milionë euro të tjera. Vermaelen nga krahu tjetër ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me klubin spanjoll. Zubizarreta lidhur me marrëveshjen u shpreh se kontrata 5-vjeçare tregon se klubi beson verbërisht tek lojtari dhe kërkon të ndërtojë repartin mbrojtës rreth tij. Vearmaelen në karrierën e tij ka luajtur edhe tek Ajax, ku dhe hodhi hapin e parë drejt futbollit profesionist.
Në Holandë, 28-vjeçari u njoh edhe me sulmuesin uruguajan, Luiz Suarez, për të cilin Vermaelen u shpreh i lumtur që e ka në skuadër. “Një lojtar si Suarez është më mirë ta kesh në skuadër sesa kundërshtar. Jam i lumtur që ritakohem me të, shpresoj të arrijmë sa më shumë fitore së bashku”, – përfundoi 28-vjeçari, që në karrierën e tij ka fituar thuajse gjithçka. Në Angli, një FA-cup sezonin e shkuar, ndërsa tek Ajax, kampionatin holandez, kupën dhe superkupën.