Venger: I mundim nese luajme si me Liverpulin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arsenali shkon në “Signal Iduna Park” me dy bindje të mëdha. Forma fizike e momentit është super, ndërkohë që edhe eksperienca në të tilla takime është e tillë. “Topçinjtë” luajnë në Ligën e Kampioneve për të 16-tin edicion radhazi dhe e sfidojnë Dortmundin pas një paraqitjeje dinjitoze të bërë me Liverpulin këtë fundjavë. “E kaluam testin me Liverpulin, duke i bindur të gjithë për potencialin që kemi. Mund të shihet edhe nga jashtë se kjo skuadër është vërtet e bashkuar. Tani nuk na mbetet tjetër veçse të dëfrehemi në fushën e lojës dhe të vazhdojmë të rrisin nivelin tonë”. Këto ishin fjalët e para të Arsen Vengerit në konferencën për shtyp që mbajti dje.
Tokë e ndaluar – Për Arsenalin, transfertat në Gjermani gjithmonë kanë qenë të vështira. Skuadra londineze në Ligën e Kampioneve ka luajtur 18 herë në tokën gjermane, duke fituar 4 ndeshje, barazuar po 4 dhe humbur 5 të tilla. Por kësaj herë francezi duket se ka gjetur formulën e duhur për të fituar: “Duhet të tregohemi të kujdesshëm. Ky edicion ka nisur në mënyrën më të mirë për ne, prandaj duhet të bëjmë gjithçka për të vazhduar rrugën që kemi filluar. Të mos mendojmë për asnjë çast se kemi kohë për t’u qetësuar”. Arsenali i Vengerit prej 14 takimesh radhazi nuk pëson humbje jashtë fushës së vet. Për herë të fundit “topçinjtë” janë mundur më 3 mars nga Totnnhemi.
Mbi Dortmundin – Në fund të fjalës së tij, francezi i ktheu reston Klopit, i cili një ditë më parë e krahasoi Arsenalin me një skuadër që “luan” muzikë të lehtë. Tekniku gjerman theksoi se parapëlqen metalin. Ndërsa Vengeri dje ia ktheu: “Nuk jam specialist muzike, por di të them se Dortmundi më pëlqen shumë. Do të dëgjojmë një simfoni të bukur nesër (sot)”.