e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Alegri do qendroje, Baloteli i pashitshem'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Alegri do qendroje, Baloteli i pashitshem'

Nuk janë orë të qeta në shtëpinë e Milanit. Humbja e fundit në kampionat ndaj Fiorentinës dhe fjalët “kërcënuese” të Barbara Berluskonit, vajza e presidentit kuqezi që lobon për ndryshimin e strukturës së klubit, kanë vënë në diskutim të ardhmen e administratorit të Milanit, Adriano Galiani.

Ky i fundit në një intervistë për mediat italiane, dje ka pranuar se ka pasur një bisedë me “bosi”-n e kuqezinjve, por pa specifikuar tematikat që janë diskutuar mes tyre. “Sigurisht që kam folur me presidentin Berluskoni, por nuk kam asnjë koment për të bërë. Administratori i përgjithshëm është përgjegjës për gjithçka, për merkaton, llogaritë dhe kostot. Është përgjegjës i një kompanie të tërë. Ndërsa, për sa i përket Alegrit, mund t’ju them se kur humbet pafundësisht nuk ka asnjë trajner që ruan vendin e punës. Kjo nuk është një javë vendimtare për të ardhmen e tij, klubi ka besim te puna e trajnerit. Sigurisht që për ne është një moment i vështirë, pasi rezultatet nuk vijnë. Do të ecim përpara në rrugën tonë, duke shpresuar që gjërat do të rregullohen në ndeshjet e ardhshme”.

Më tej Galiani ka thënë: “Në 28 vite kam pasur momente të mira dhe të këqija, sporti është me cikle. Vlera e Milanit është më e madhe sesa ajo aktualja, çka e tregon renditja e UEFA-s. Kujtoj se Milani është skuadra e vetme italiane që në sezonet e fundit ka marrë gjithmonë pjesë në Ligën e Kampioneve dhe asnjë ekip tjetër në Itali nuk ka rendimentin tonë. Në 12 sezonet e fundit në Champions kemi marrë pjesë në 11-të të tilla”. Në fund administratori i kuqezinjve është ndalur dhe te momenti i errët që po kalon sulmuesi Mario Baloteli: “Në 13 ndeshje ka shënuar 12 gola në sezonin e kaluar dhe pa të nuk do të ishim në Ligën e Kampioneve sot. Sigurisht që është një moment i keq, por eksperienca më tregon që duhet të ruajmë qetësinë dhe të vazhdojmë të punojmë deri në fund të sezonit. Nuk mbaron çdo gjë në nëntor. Baloteli mbetet në mënyrë absolute i pashitshëm”.