e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Mou: Dua nje ekip agresiv ndaj Shalkes

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mou: Dua nje ekip agresiv ndaj Shalkes

Zhoze Murinjo ka kërkuar një fitore sot kundër Shalkes për të çimentuar vendin e parë në Grupin E. Trajneri insistoi në reagimin e Çelsit pas humbjes me Njukasëllin, pas së cilës u tregua i ashpër me lojtarët e tij, duke thënë se kishte zgjedhur 11-shen e gabuar: “Pata kohë ta rishikoj ndeshjen dhe reflektuar, por unë nuk ndryshoj mendje. Sigurisht që rezultati mund të kishte qenë i ndryshëm kur ishim 0-0, sepse goditëm dy herë traversën, por skuadra ime nuk reagoi dhe kjo nuk është filozofia për të cilën po punojmë. Skuadrat e mia kanë humbur ndeshje dhe Çelsi do humbasë, sepse askush nuk është i pathyeshëm. Por, kur skuadrës i mungon vendosmëria dhe karakteri, atëherë kjo është problematike”. Portugezi tha se do të ketë ndryshime nga skuadra që humbi në “St James Park”, por jo revolucion. Ai tha se si Eto, ashtu edhe Demba Ba kanë shanse të jenë titullar nesër (sot), duke përjashtuar Torresin e dëmtuar.

“Nuk dua që njerëzit t’i konsiderojnë ndryshimet që do bëj nesër (sot) si ndëshkime për lojën e dobët ndaj Njukasëllit. Unë do përpiqem të hedh në fushë skuadrën më të mirë të mundshme për të fituar. Fernando ka një problem muskulor dhe do presim përgjigjen e skanerit. Por, me shumë mundësi, veç mungesës ndaj Shalkes, nuk do jetë i gatshëm as për sfidën e fundjavës në Premier Ligë. Edhe Bertrandi do mungojë”. 3 pikë sot në “Stamford Bridge” do forconin pozitat e anglezëve. Çelsi ka fituar çdo ndeshje në stadiumin e saj këtë sezon, por Shalke nuk mundet në 7 transfertat e fundit: “Rekordi i tyre jashtë fushe është shumë i mirë dhe Shalke është një nga ato skuadra që luan më mirë në transfertë se brenda. Janë një skuadër fizike. Unë nuk e di se cilat janë objektivat e tyre: nëse do përpiqen të renditen në vendin e parë apo thjesht të kalojnë turin. Unë duhet ta përgatis skuadrën time për të dyja situatat: si për faktin që vijnë në Londër për të fituar, ashtu edhe për të mos humbur”.


Keler: Rezultati në Gelzenkirshen, i rremë


Për Jens Kelerin sfida me Çelsin është kryendeshja e Grupit E, duke nënkuptuar se Shalke e tij është favorite për t’u kualifikuar bashkë me anglezët e Murinjos. “Është ndeshja më e rëndësishme e grupit dhe ne jemi shumë të emocionuar. Sigurisht që të gjithë e dimë se kush janë favoritët, por rezultati i ndeshjes në Gjermani ishte i rremë (Shalke humbi 3-0). Ne do luajmë shanset tona në Angli”. 42-vjeçari sulmoi presionin e madh të medias për rezultatet e fundit të skuadrës së tij, ndërsa lidhur me formacionin shtoi se në Londër nuk udhëtoi Gorecka, ndërsa në sulm do të ishte i gatshëm Szalai, i cili është i gatshëm pas një operacioni të lehtë.