Venger: Do bejme oferte per Manxukicin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mario Manxukiç e ka të ardhmen të sigurt, pavarësisht si shkojnë gjërat te Bajerni. Arsenali ka pranuar zyrtarisht se i intereson sulmuesi i Bajernit, për të cilin do të bëjnë një ofertë zyrtare në merkaton e verës. Arsen Venger pranoi se për “topçinjtë” do të jetë e pamundur që ta transferojnë bomberin kroat në janar, pasi Levandovski mbërrin në Mynih sezonin e ardhshëm, por do të provojë ta marrin në verë, kur Bajerni nuk do e ketë problem ta lërë të lirë. “Levandovski është një lojtar i Dortmundit deri në fund të sezonit, kështu që ne e dimë shumë mirë që Bajernit as që i shkon në mend për ta shitur Manxukiçin në janar. Ndoshta në fund të sezonit nuk do e kenë problem ta shesin”, – tha menaxheri francez. 64-vjeçari tregoi dhe një prapaskenë të re për telenovelën Levandovski, kur tha se polaku kishte firmosur me Bajernin që 1 vit e gjysmë më parë dhe ishte në dijeni të kësaj.
“Po, edhe ne si shumë klube të tjera kemi bërë një ofertë për Levandovskin, por sinqerisht ai kishte firmosur me Bajernin që 18 muaj më parë. Një gjë të tillë e dinë të gjithë ata që janë interesuar për sulmuesin. Bajerni mund ta bënte zyrtarizimin tani vetëm për shkak të burokracisë, sepse lojtari hyri në 6 muajt e fundit të kontratës me klubin e vjetër”. Kryesuesit e Premier Ligës nuk e përjashtojnë mundësinë që të transferojnë një lojtar të rëndësishëm në “Emirates” gjatë janarit. Por Venger e di shumë mirë që operacionet e rëndësishme nuk mund të kryhen në dimër. “Edhe ne, si çdo klub tjetër, jemi në pritje për të parë se çfarë do të ndodhë gjatë merkatos së janarit. Nëse na shfaqet një mundësi e mirë, do të hyjmë në merkato pa asnjë ngurrim. Por ju të gjithë e dini shumë mirë se sa e vështirë është që lojtarët e mëdhenj të lëvizin nga klubet e tyre gjatë janarit. Transferimet e rëndësishme bëhen në verë”.