Rikthehet Reja, Lorik Cana ulet ne pankine
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Rikthimi në drejtim të Lacios i Edi Rejas ka sjellë ndryshime drastike në formacionin titullar, të cilat kanë prekur edhe kapitenin e Kombëtares shqiptare, Lorik Cana. Kështu, sipas asaj që raportojnë mediat italiane dhe kryesisht ato që njihen si të afërta me klubin lacial, si “lalazi-osiamonoi.it” apo “citta-celeste.it”, për ndeshjen e sotme ndaj Interit Cana është lënë jashtë 11-shes titullare, teksa Reja ka preferuar “gardën e vjetër”, ose më mirë ata lojtarë me të cilët luante para se të largohej nga kjo skuadër në majin e 2012-s. Vetëm pak ditë më parë Reja rimori drejtimin e Lacios dhe dje ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore para takimit të sotëm, duke dhënë edhe një ide të mënyrës sesi do ta transformojë ekipin pas largimit të Vladimir Petkoviçit (do marrë drejtimin e Kombëtares së Zvicrës, menjëherë pas përfundimit të Botërorit “Brazil 2014”).
Reja i ka besuar portën të zakonshmit Marketi, teksa para tij ka parashikuar që të hedhë në fushë, Konko nga e djathta, Biava dhe Dias në qendër dhe Radu nga e majta. Kështu vendi i Canës në rastin konkret është zënë nga Dias, lojtar ky që nuk preferohej nga Petkoviç. Edhe kur ky i fundit ka qenë në formacion, kjo ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së Biavës. Dias, edhe pse 36 vjeç, preferohet si titullar nga Reja, paçka formës dhe performancës së mirë që ka treguar Cana gjatë këtij edicioni. Ndërkohë, kapiteni kuqezi nuk shihet as si një alternativë në mesfushë, duke qenë se Reja ka ndërmend të luajë me Gonzalez, Ledesman dhe Hernanes, teksa në sulm Klose do të ndihmohet nga Kandreva dhe Luliç. Sakaq, duhet thënë se edhe gjatë 2011-2012 Cana nuk preferohej nga Edi Reja. Madje, referuar mediave italiane në atë periudhë, largimi i tij më 17 maj të 2012-s erdhi edhe si rezultat i një përplasjeje me drejtorin sportiv Igli Tare. Sipas mediave, ky i fundit i kishte kërkuar llogari për lënien jashtë në pjesën më të madhe të ndeshjeve të Canës, lojtar ky që ishte marrë nga Gallatasaraji për të luajtur si titullar .
Lotito sulmon Petkon: Tradhtar!
Klaudio Lotito tashmë i ka të gjitha faktet e nevojshme për të fituar kauzën me trajnerin Vladimir Petkoviç, i cili edhe pse është shkarkuar nga numri një i klubit të Lacios, kërkon 6 muajt e rrogës që i mbeteshin deri në fund të kontratës së tij. Të dyja palët do ta zgjidhin këtë çështje në gjykatë, por ndërkohë Lotito zotëron kontratën mes ish-trajnerit dhe Federatës Zvicerane të Futbollit që mban datën e 23 dhjetorit. “Njerëzit nuk rreshtin kurrë së njohuri në jetë dhe unë bëra një gabim të madh me Petkoviçin. Ai ishte një tradhtar, të cilit i besova më shumë sesa kujtdo tjetër në aventurën time si trajner i Lacios, por ai ishte gjithashtu edhe zhgënjimi im më i madh. E vlerësoja aq shumë, saqë mjaftonte të ma pranonte që kishte firmosur me Zvicrën dhe unë do ta mbaja deri në fund të sezonit”.
Reja: Kjo Lacio nuk ka freski, do të rilindim
Edi Reja rikthehet në stolin e Lacios pas një viti e gjysmë me besimin se do arrijë të nxjerrë këtë skuadër nga një terr psikologjik. Trajneri i të kaltërve e njeh mirë ambientin dhe nuk i është dashur shumë punë për të kuptuar se nga duhet t’ia nisë. “Për atë çfarë Petkoviç bëri sezonin e kaluar, unë i bëra urimet e mia, sepse realisht punoi në mënyrë fantastike. Por, sivjet gjërat nuk shkojnë siç duhet, me lojtarët që nuk kanë freski mendore për të zbritur në fushë, ndaj kjo do jetë edhe puna mbi të cilën duhet të impenjohem më shumë. Duke parë që cilësitë nuk mungojnë, kundër Interit dua të shoh një skuadër që di të dëfrehet në fushë duke luajtur futboll. E di që rezultatet e dobëta të fundit kanë futur në depresion ekipin, por në të njëjtën kohë jam i sigurt që duke punuar së bashku mund t’ia dalim dhe Interi është sfida ideale për të rilindur”.