e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Rri ne Spanje dhe shkoj ne EURO 2016'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Rri ne Spanje dhe shkoj ne EURO 2016'

Me gjithë telashet që kanë karakterizuar karrierën e tij në Spanjë, kryesisht me dëmtimet, Valdet Rama ka pohuar se do të qëndrojë te Valadolidi, ekip me të cilin pret një vit të ri shumë më të mirë dhe më të suksesshëm. Sulmuesi synon të fitojë vendin e titullarit në ekipin spanjoll, por edhe të ketë paraqitje më të mira me Kombëtaren shqiptare, me të cilën beson se do arrijë të prekë kualifikimin për në Europianin e 2016-s.

“Në fillim të këtij viti iu ktheva stërvitjeve dhe kjo më ka hapur rrugën që të shpresoj në një vit shumë më të mirë dhe më të suksesshëm si me ekipin tim, e po ashtu edhe me Kombëtaren shqiptare. Kthimi pas pesë javësh mungese më bën të shpresoj se gjërat do të shkojnë edhe më mirë”, pohon fillimisht Rama. Sulmuesi me prejardhje nga Mitrovica u bë pjesë e Valadolidit vitin e shkuar, por e pati shumë të vështirë që të fitonte një vend titullari në skuadër.

“Në përgjithësi jam i kënaqur me atë se çfarë kam treguar që kur kam shkuar në Valadolid. Normal, Kombëtarja është diçka tjetër. Vetë mundësia që më është dhënë të veshë fanellën kuqezi ka bërë që motivimi dhe angazhimi im të jetë maksimal”. Mirëpo Rama është i bindur se viti i ri do t’i forcojë pozitat e tij, por njëkohësisht ta kthejë edhe më të fortë në terren. “Mendoj se nuk do të lëviz nga Valadolidi. Kam kontratë edhe një vit e gjysmë dhe do ta respektoj atë deri në fund, duke u përpjekur që të bëj më të mirën time. Do të luftoj për një vend në 11-shen e parë”, vijon Rama. Sipas tij, rinovimi i De Biazit në krye të kuqezinjve është një gjë pozitive.

“Rinovimi i De Biazit është një lajm i mirë për Kombëtaren. Besoj se kombëtarja do të luajë rol shumë më të rëndësishëm në kualifikimet për “Euro 2016”. Mendoj se do jetë më e suksesshme dhe pse jo edhe të kërkojë një kualifikim. Afrimet e fundit dhe ato që mund të vijnë do ta forcojnë atë dhe Shqipërinë e presin ditë më të mira”, përfundon Valdet Rama.