e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Juve 'vret' Romen, por edhe kampionatin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juve 'vret' Romen, por edhe kampionatin

Juventusi është padron i kampionatit. Mundin 3-0 Romën në Torino, me gol të Vidalit në pjesën e parë dhe me Bonuçin e Vuçiniçin në të dytën, të cilët mjaftojnë për të dërguar në +8 pikë diferencën nga ndjekësja më e afërt. Roma nga ana tjetër nuk bën asgjë për të trembur kampionët në fuqi, përkundrazi tregon frikë dhe panik, aq sa në fund e mbyll me 9 lojtarë, si rrjedhojë e ndërhyrjes horror të De Rosit dhe prekjes së topit me dorë në portë të Kastanit. Dhe tani të gjithë bëjnë pyetjen, kampionati ka mbaruar?

Jo, sepse mungojnë edhe 20 ndeshje nga fundi, por tashmë nuk vihet në dyshim fakti nëse Juventusi do arrijë ta fitojë këtë titull të tretë radhazi, por se kur do ta mbyllë matematikisht këtë luftë në distancë të largët. Në rast se kjo humbje mund të justifikohet si diçka normale nga Roma, në të vërtetë tashmë askush në kryeqytet nuk duhet të kërkojë alibi, sepse vjet dërrmoheshin në Torino në shifrat 4-1, pa harruar se Toti dhe De Rosi ishin gati të vinin bast edhe për një fitore. Një tjetër statistikë që nuk duhet lënë pa përmendur lidhet me mbrojtjen verdhekuqe, e cila nëse në 17 ndeshje kishte pësuar vetëm 7 gola, dje në Torino u përul 3 herë, prandaj duke bërë një llogari të përgjithshme, ky Juventus nuk ka rivalë në Serinë A, aq sa vetëm skuadra e Kontes mund ta humbë këtë titull të tretë radhazi.



“Gërvisht” Vidali Roma e nis më mirë se Juvja ndeshjen, duke tentuar të frikësojë të zotët e shtëpisë me vertikalizime nga krahët. Por “Zonja e Vjetër” është si një bishë e plagosur, që edhe pse vuan, në sulmin e parë jep goditjen vdekjeprurëse. Minuta e 16-të ishte ajo që mbylli ndeshjen, sepse Tevez dhe Vidal në një metër katror të zonës së De Sanktisit ndërtojnë golin e parë, me mesfushorin kilian që merr asistin e shkurtër të argjentinasit dhe feston të tetin në kampionat dhe i hap rrugën suksesit të lehtë. Gjithsesi, Roma vazhdon të bëjë lojën, por trajneri Konte urdhëron që të tijtë të mbajnë një ritëm të ngadaltë dhe mban prapa ekipin, duke markuar ashpër Zhervinjon dhe Ljajiçin. Por edhe në atë rast, kur Bonuçi bën një nga ato gafat e tij, Bufon tregon se përpara portës së tij nuk kalohet dhe arrin të ndalë sulmuesin serb. Dhe bardhezinjtë vazhdojnë të vuajnë në zotërimin e topit, diçka që nuk shihet shpesh, por kur hidhet përpara në shpejtësi Roma është thuajse e dorëzuar, ndonëse në pjesën e parë të zotët e shtëpisë do të kënaqen me avantazhin minimal 1-0.



Dyfishon Bonuçi Vuajtjet e Juves në pjesën e parë duket sikur kanë qenë të studiuara, sepse kalojnë vetëm tri minuta nga fillimi i së dytës dhe ndeshja mbyllet përfundimisht. Pirlo ekzekuton një goditje dënimi që ngjason me një korne dhe Bonuçi i harruar i vetëm në zonë me rrëshqitje depoziton në rrjetë. Kaq mjafton dhe misioni është i përmbushur, me trajnerin Konte që ka luksin të nxjerrë nga fusha Karlos Tevezin, i cili po vuante një lodhje muskulore. Në vend të tij “i humburi” Mirko Vuçiniç, ndërsa Garsia hedh 4 sulmues në fushën e lojës. Kjo lëvizje rezulton e gabuar, sepse Juventusi me euforinë e avantazhit të sigurt nis të qarkullojë topin, aq sa arrin të nervozojë De Rosin, i cili me një ndërhyrje horror rrezikon të thyejë gjurin e Kielinit, që është me fat, por kartoni i kuq është i paevitueshëm. Nga kjo goditje dënimi, Pirlo dërgon një top në zonë, që mes rrëmujës goditet nga Kielini, por Kastan bën rolin e portierit dhe e ndalon me dorë. Penallti dhe karton i kuq për romanistin, që lë ekipin me 9 lojtarë, ndërsa Vidal i bën 11-metërshin dhuratë Vuçiniçit. Malazezi nuk gabon, ndëshkon ishskuadrën, vulos ndeshjen në shifrat 3-0, ndërsa tifozët nisin përpara kohe festën e titullit të tretë radhazi. Dhe nuk duhet të jesh Nostradamusi që t’u japësh të drejtë ultrasve torinezë…