e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Etrit Berisha luan titullar dhe mund Interin: Zikaltrit ishin te dobet, fitorja per familjen...

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Etrit Berisha luan titullar dhe mund Interin: Zikaltrit ishin te dobet, fitorja per familjen...

Etrit Berisha e ka nisur në mënyrën më të mirë vitin 2014. Ka debutuar në kampionat me Lacion dhe në ndeshjen e tij të parë në Serinë A ka mundur Interin. “Ishte një debutim mbresëlënës. Më mirë se kaq nuk e kisha imagjinuar debutimin tim”, – ka thënë Berisha për “Panorama Sport”. Ai ka rrëfyer se do të donte të kishte Canën në krah, por kapiteni i Shqipërisë ka pasur probleme në kavilje, ndaj edhe nuk ka luajtur.


Etrit, si është të mundësh Lacion në “Olimpiko”?


Në fillim kisha pak emocione, sepse po përballeshim me një ekip të madh në rrethana jo të mira. E kam fjalën që vinim nga një periudhë e vështirë dhe nuk ishte e lehtë. Me kalimin e minutave situata u përmirësua dhe menjëherë e kuptova se ishte thjesht një ndeshje e zakonshme kampionati ku nuk duhej të mbingarkohesha më kot me emocione.


Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga kjo ndeshje?


Atmosfera në tërësi para dhe pas ndeshjes, si dhe momenti i golit të Klozes. Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme.


Cana është mërzitur që nuk luajti?


Cana ka probleme me kaviljen, ndaj nuk luajti. Mendoj se nga java e ardhshme do të rikthehet titullar. Gjithsesi, mos më pyesni mua për formacionin, sepse nuk jam unë trajneri.


Çfarë ndodhi pas ndeshjes?


Festuam pak në tunel, sepse ishte një fitore e madhe. Mora shumë komplimente, por mbi të gjitha u ndjeva mirë kur Igli Tare erdhi më përgëzoi.


Si ju duk Interi?


T’ju them të drejtën, në nivel ekipor, Interi ishte skuadra më e madhe me të cilën jam ndeshur në karrierën time, por nuk m’u duk ndonjë ekip i jashtëzakonshëm. Ishte fare normal. Ndoshta skuadra më e rrezikshme me të cilën jam përballur ka qenë Norvegjia…


Kur do ta shohim Berishën të luajë si titullar?


E rëndësishme është që po eci mirë dhe gradualisht po fitoj besimin e ambientit dhe të trajnerit. Të tjerat duhet t’i marr me ngadalë.


Keni ndonjë dedikim pas kësaj mbrëmjeje?


Një falënderim të madh për familjen time. Jam këtu prej tyre dhe ua dedikoj atyre gjithçka kam arritur.


Lacio mbetet mallkimi i Interit


Lacio konfirmohet mallkimi i Interit, i cili nuk fiton në “Olimpiko” që prej vitit 2010. Debutim ëndrrash për Edi Rejan, që me rikthimin në stolin e kryeqytetasve mund kolegun e tij Valter Maxarri 1-0, falë një goli të realizuar nga sulmuesi gjerman, Miroslav Klose, që për koincidencë i kishte shënuar Interit edhe para një sezoni në të njëjtin minutë, 81. Por debutimi më i rëndësishëm sigurisht është ai i portierit shqiptar Etrit Berisha, i cili për të parën herë është aktivizuar si titullar në kampionat, për shkak të mungesës së portierit kryesor Federiko Marketi, i ndalur nga një problem muskulor, ndërsa në stol në rolin e portierit të dytë ka qenë një tjetër shqiptar, Thomas Strakosha, i biri i portierit legjendar Foto Strakosha. Ndërsa kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, nuk është aktivizuar asnjë minutë nga Reja, i cili ka preferuar dyshen Biava-Dias në mbrojtje.