Lahm: Ja 'recetat' e suksesit per 2014-en
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajerni i Mynihut i ka vënë qëllim vetes të përsëritë edhe një herë suksesin e vitit 2013. Pas ardhjes në fron të Uli Hënesit, i cili zëvendësoi Franc Bekenbauerin si president në vitin 2010, Bajerni hapi një epokë të re në të gjitha drejtimet. “Bajerni im në pesë vite do ‘pushtojë’ Europën dhe botën”, – ishte premtimi i Uli Hënesit pas betimit si president. Në fakt, armata e formuar prej tij mbajti premtimin që në tri vitet e para, kur arriti tri herë në finale të Champions-it (2010, 2012, 2013). Për këtë “pushtim” dhe për ndryshimet me ardhjen e Guardiolës, ka folur edhe kapiteni i Bajernit, Filip Lahm, i cili nga Katari në një intervistë për “Sport1″ i bën skanerin ekipit, paraqet “recetat” e suksesit edhe për vitin 2014.
Gjithashtu ai u bën një falënderim tifozëve dhe lexuesve të “Sport1″, të cilët zgjodhën Bajernin si ekipin më të mirë të vitit 2013. “Është një nder i madh ta fitosh këtë çmim, sepse këtu del në pah pëlqimi i klubit tonë dhe vëmendja karshi nesh. E marr me kënaqësi këtë trofe”, – u shpreh Lahm duke folur më tej për sukseset e fundit të ekipit: “Nuk është pak të arrish tri herë në finale të Champions-it për 3 vite. Kjo është një punë e suksesshme që nga presidenti ynë Uli Hënes deri te trajneri ynë.
Viti i kaluar ishte kurorëzimi i një pune disavjeçare”. Për sa i përket vitit 2014, Lahm paraqet “recetat” e suksesit: “Përsëritja e titujve do të ishte historike dhe kjo do të jetë sfida jonë e radhës. Megjithëse për ta arritur këtë sukses duhet të kujdesemi për shumë gjëra: së pari duhet të marrim seriozisht çdo kundërshtar. Organika dhe konkurrenca në ekip është mjaft e lartë. Më vjen mirë që kemi një skuadër homogjene me tipa dhe karakter të fortë. Do të jetë mjaft pozitiv edhe fakti që shumica e lojtarëve luajnë prej vitesh së bashku. Një avantazh tjetër është se trajneri ka gjithnjë një plan B për të dalë në lojën tonë dhe iu përshtatur kundërshtarit. Në 2014-ën ne do të dhurojmë futboll mjaft atraktiv dhe rezultativ”, – përfundoi Filip Lahm.