Junajtid, 200 milione paund per ringjalljen e ekipit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dyqind milionë paund për t’u përpjekur që të ndryshohet trendi negativ i këtij fillimsezoni nga Mançester Junajtid. Nga 100 deri në 200 milionë paund varion shuma marramendëse që vëllezërit Glejzër kanë vënë në dispozicion të menaxherit Dejvid Mojes për merkaton gjatë 18 muajve të ardhshëm. Sipas “DailyMail”, skocezi mund të nisë t’i shpenzojë ato që në merkaton e janarit për ta përforcuar skuadrën urgjentisht me një mbrojtës, një mesfushor, por edhe një sulmues. Trajneri e ka pranuar urgjencën për të blerë lojtarë të rëndësishëm në “Old Trafford”, por theksoi se do të jetë shumë e vështirë t’i arrijë objektivat e tij këtë muaj.
“Ka një urgjencë për ta përforcuar skuadrën me emrat që do të dëshironim të sillnim, por pyetja është a janë këta lojtarë të gatshëm të transferohen në janar? Kështu që nuk është nevoja të nxitohemi, sepse lojtarët që ne do të donim në këto momente nuk janë të disponueshëm, jo sepse nuk duam t’i transferojmë. Por ky nuk është një justifikim për rezultatet, sepse ne sërish kemi një skuadër shumë të fortë. Me përjashtim të Aleks Bytnerit, të gjithë të tjerët janë futbollistë të kombëtares”, – tha Mojes për “ESPN”. Por, ndryshe nga sa Mojes thotë, skautët e “djajve” në Europë kanë nisur punën në terren prej disa javësh.
Kështu, për të parë në aksion Diego Kostën e Atletikos në “Rosaleda” kundër Malagës, udhëtoi personalisht vetë shefi i skautëve, Robi Kok, i cili nuk ndodhet vetëm për sulmuesin brazilian në Spanjë, por edhe për Koken, dhe për të monitoruar situatën për një objektiv të vjetër të Junajtid, Ander Herrerën e Bilbaos. Klauzola e prishjes së kontratës së Kostës është 30 milionë paund, por vështirë që ky operacion të përfundojë gjatë këtij muaji. Marko Rojs (me thuajse të njëjtën klauzolë si Kosta) mbetet ëndrra e Mojesit, por për gjermanin duket e komplikuar të niset një negociatë edhe në verë, pasi Dortmundi refuzon ta shesë. Për Fabio Koentraon ka një marrëveshje verbale me menaxherin e tij, mirëpo megjithëse Reali dëshiron ta shesë, nuk pranon Ançeloti. Gjithsesi, me milionat që “djajtë” kanë në dispozicion, gjithçka mund të ndodhë.