e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Vendimet tendencioze te gjyqtarit portugez, Ferreira na eliminuan'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Vendimet tendencioze te gjyqtarit portugez, Ferreira na eliminuan'
Klubi shkodran i kërkon Disiplinorit, ndëshkimin e “bilbilit” luzitan për gafat dhe episodet në ndeshjen me Thunin

Zhgënjimi për eliminimin në Europa League nuk është venitur. Por, më i madh te Vllaznia është zemërimi me gjyqtarin portugez, Zhoao Ferreira. Madje, janë ankuar te UEFA për “bilbilin” luzitan, i cili ishte shkaktari i humbjes dhe largimit të shkodranëve nga kupat e Europës. Kjo, për faktin se arbitri akordoi dy gola të parregullt për Thunin, që përmbysën avantazhin e skuadrës së Mirel Josës, e cila kryesonte 0-1, deri në minutën e 89-të të ndeshjes. Goli i parë i zviceranëve, i shënuar nga Milaim Rama, erdhi pas një pozicioni të dukshëm jashtë loje (pothuajse një metër) të sulmuesit kosovar.

 Ndërkohë, në momentin e golit të dytë të Thunit me Luthin, kur kronometri tregonte 92 minuta lojë, rrjeta erdhi pas një aksioni ku më parë ishte shkaktuar faull ndaj mbrojtësit Rajoviç, por arbitri lejoi vazhdimin e lojës. Këto episode, por edhe gjykimi i cilësuar tendencioz gjatë gjithë takimit, i kanë bindur drejtuesit e Vllaznisë që të veprojnë, ashtu si nuk kishte bërë më parë asnjë klub tjetër shqiptar: ankimimin te UEFA.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, krerët e klubit kuqeblu shpjegonin: “Maksimalisht i zhgënjyer nga gjykimi i ndeshjes së fundit të luajtur me Thunin, klubi i futbollit Vllaznia ka vendosur t’i drejtohet Komisionit të Disiplinës pranë UEFA-s me një shkresë ankimore”. Shkodranët kanë shpjeguar arsyet e këtij vendimi, ku kryefjala janë rastet e dyshimta të golave: “Në ankesën tonë përmendim disa vendime të njëanshme dhe të gabuara të gjyqtarëve të ndeshjes, si pozicioni i dukshëm jashtë loje në rastin e golit të parë të Thunit, si edhe faulli i shkaktuar ndaj Rajoviçit tek goli i dytë, që solli më pas edhe eliminimin e skuadrës tonë”. Megjithatë, përveç dy episodeve që rezultuan vendimtarë në eliminimin e Vllaznisë, theksi është vënë te arbitrimi i njëanshëm i portugezit Ferreira: “Momentet e golave nuk ishin të vetmet të dyshimta.

Mendojmë se gjyqtari ka qenë tendencioz prej fillimit të ndeshjes, me dhënien e dy kartonëve të verdhë për Rajoviç (krejt i pakuptimtë) dhe Popoviç, që në minutat e para të ndeshjes. Gjithashtu, duhen përmendur lënia jashtë vijave të fushës për më tepër se normat e lejuara të Rajoviç e Smajlit, në momentet kur ata pësuan dëmtime gjatë ndeshjes, duke e lënë Vllazninë me 10 futbollistë në fushë”. Edhe pse tashmë eliminimi është i pakthyeshëm dhe dëmi ekonomik është mjaft i madh, shkodranët duket se do të kënaqeshin edhe vetëm me ndëshkimin e “bilbilit” të ndeshjes.

“Për të gjitha këto episode, duke parë edhe pamjet filmike të ndeshjes, besojmë se Komisioni i Disiplinës së UEFA-s do të na japë të drejtë dhe do të marrë masat e duhura ndëshkimore ndaj këtyre arbitrave. Mendojmë që ata, me gjykimin e tyre të njëanshëm, i kanë bërë një dëm shumë të madh moral dhe ekonomik klubit Vllaznia, duke na shkaktuar eliminimin nga Liga e Europës”, - përfundonte deklarata.