e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Vdekja e tifozit/ Prokuroria nis hetimet, 10 policë në pyetje

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vdekja e tifozit/ Prokuroria nis hetimet, 10 policë në pyetje

Një tifoz vlonjat ka humbur jetën në stadium në fundin e ndeshjes së djeshme, Flamurtari- Kukësi. Mësohet se viktima është 42-vjeçari Mikel Selmanaj.

Untitled-19Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, Selmanaj ka qenë duke dalë nga stadiumi dhe në këtë moment ka rënë nga shkallët, pasi është konfliktuar me një punonjës të policisë.

Ky i fundit, sipas asaj që tregojnë dëshmitarët, i ka kërkuar 42-vjeçarit që të qetësohej, për shkak se pas ndeshjes ishte mjaft i acaruar si pasojë e rezultatit dhe po ndikonte në prishjen e qetësisë publike.

Në momentin e debatit, Selmanaj ka rënë nga shkallët duke u dëmtuar rëndë në kokë. 42-vjeçari është dërguar me urgjencë për në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Mjekët e Spitalit pohuan për "Panorama Sport" se shtetasi Selmanaj kishte shkuar pa jetë në spital dhe menjëherë është transportuar për në morg.

Pas ngjarjes është ngritur edhe grupi hetimor, i cili ka nisur hetimin në disa pista. Burime pranë Prokurorisë së Vlorës thanë mbrëmë në orët e vona për gazetën se po hetohet për këtë ngjarje në pistën e një ngjarje aksidentale, një rënie nga pakujdesia gjatë konfliktit me policinë, ose një atak kardiak i momentit.

Deri në mbrëmjen e djeshme, policia nuk doli me një deklaratë për shtyp për këtë ngjarje. Mikel Selmanaj ishte i martuar dhe babai i një djali 6-vjeçar. Ai banonte në Vlorë, ndërsa ishte pronar i një restoranti në Radhimë, si dhe një bari në bulevardin kryesor të qytetit.

42-vjeçari njihej si tifoz i flaktë dhe e ndiqte Flamurtarin në çdo ndeshje, si brenda, ashtu edhe jashtë Vlore. Sipas miqve të tij, ai i ka qëndruar pranë ekipit edhe në ditë më të vështira, teksa ishte një mbështetës i apasionuar.

Prokuroria merr 10 policë në pyetje
Burime të sigurta të gazetës konfirmuan dje në mbrëmje se janë marrë në pyetje nga prokuroria 10 efektivë të policisë që ishin me shërbim pranë vendit të ngjarjes.

Dyshohet se kjo ngjarje tragjike ka ardhur pas konfliktit të viktimës me një prej policëve. Gjithsesi, hetimi sapo ka nisur dhe pritet që në orët në vijim të nxirret edhe shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin futbolldashës vlonjat.

ERMAL SIKA