e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Vasili dhe Idrizi: Bashkia të ndihmojë urgjent Tiranën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vasili dhe Idrizi: Bashkia të ndihmojë urgjent Tiranën

Humbja e Tiranës në derbi nuk ka kaluar në heshtje. Por këtë herë reagimet e para kanë ardhur nga politika. petrit vasili
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, dhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kanë mbetur të zhgënjyer nga rezultati, por njëherësh i kanë kërkuar Bashkisë Tiranë që të reflektojë në mënyrë urgjente.

"Ashtu si bashkëtifozët e mi, ndihem i zhgënjyer. Futbolli i Tiranës është lënë pas dore nga Bashkia. Kryeqyteti meriton një skuadër dinjitoze. Duhet reflektim urgjent nga Bashkia e Tiranës. Të respektohet tradita dhjetëravjeçare", ka deklaruar Vasili.

Ndërsa Idrizi shkruante në faqen e tij në "Facebook" se Bashkia, si poseduese e 34 për qind të aksioneve, duhet që të japë fondin që i takon, duke e cilësuar si të papranueshme indiferencën e këtij institucioni.

"Është e papranueshme që Bashkia e Tiranës si bashkaksionere e Klubit të Futbollit Tirana, të mos japë asnjë fond për Tiranën. Tirona është krenaria e kryeqytetit e meriton vëmendjen e Bashkisë. Bashkohem me shqetësimin e Z. Vasili dhe do t'u kërkojmë këshilltarëve të PDIU-së në Këshillin Bashkiak të ngrenë këtë çështje...".

Kujtojmë që në fillim të muajit janar, klubi kryeqytetas ka depozituar zyrtarisht një shkresë në zyrat e Bashkisë, ku kërkonte 750 milionë lekë (të vjetër) nga bashkaksionerja. Një vit më parë, Këshilli Bashkiak mori vendimin për ta kthyer klubin e Tiranës në një shoqëri aksionere.

Me këtë vendim, klubi sot është sh.a dhe, në bazë të vendimit të QKR-së, janë dy bashkëpronarë, Refik Halili e Bashkia Tiranë, dhe, sikundër dihet, presidenti zotëron 66 për qind të aksioneve e pjesa tjetër i takon institucionit vendor. Por përtej kërkesës së Tiranës, nga ana e Këshillit Bashkiak nuk është marrë ende asnjë vendim.