Gazetarët sportivë të Shkodrës fitojnë edicionin e 7-të të Kupës Panajot Pano
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trofeu "Panajot Pano", që zhvillohet mes gazetarëve sportivë, është kthyer në traditë dhe së fundmi ky turne ka marrë karakter ndërkombëtar.
Edicionin e 7- të të këtij trofeu e fitoi skuadra e gazetarëve sportivë shkodranë, ndërsa TVSH zuri vendin e dytë, duke u mundur në finale, në sajë të 11-metërshave.
Vendin e tretë e zuri skuadra e DW (Deutsche Welle). Golashënuesi më i mirë i turneut u shpall Klodian Cani i Shkodrës me 9 gola, ndërsa lojtari më i mirë u shpall Ansel Seci i TVSH-së, trofeu i portierit më të mirë i kaloi Ermal Mazarit të TVSH-së.
Ideator dhe organizator i këtij trofeu është gazetari Dëfrim Methasani dhe edicioni i 7-të i Kupës "Panajot Pano" u zhvillua në një kompleks sportiv në Bubq të Fushë-Krujës. Në këtë edicion morën pjesë 7 ekipe, nga 8 të planifikuara.
Ekipi i Durrësit nuk u paraqit dhe ndarja e skuadrave u bë në dy grupe dhe pas ditës së parë dy skuadrat e para kaluan në gjysmëfinale ku u ndeshën: TVSH - Tringu 5-2 dhe DW Gazetarët e Shkodrës 1-4. Finalja u diskutua mes TVSH-së dhe gazetarëve të Shkodrës, takim i cili u mbyll në barazim 2-2, me penallti fitoi skuadra shkodrane.
Përveç gazetarëve që ishin të përfshirë në trofeun e zhvilluar në nderim të "Mbretit" të futbollit shqiptar Panajot Pano, nderuan me pjesëmarrjen edhe figura të shquara të futbollit, bashkëlojtarë të Panos, gazetarë dhe radiokronistë, si: Ramazan Rragami, Mexhit Haxhiu, Mikel Janku, Rrok Preçi, Luigj Preçi, Shpëtim Gjoshi, Bedri Alimehmeti, Erga Kruja, Mustafa Tukseferi, Abdulla Dushku, Ervin Baku, Hysni Zela, Sefer Kikija, Iljaz Çeço, Isuf Myrtaj, Robert Gjini etj.
Gjithashtu, për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, nderuan edhe kryegjyqtari i turneut, Bujar Pregja si dhe dy gjyqtarët e ndeshjeve: Adrian Beqiri, Albano Stolaj dhe Redian Dobruna. Në fund u mbajt një ceremoni përmbyllëse, ku u shpërndanë kupa dhe medalje për të pranishmit.
Në fund e mori fjalën edhe djali i legjendës së kuqe, ish-futbollisti Ledio Pano, i cili u shpreh:
"Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe në radhë të parë organizatorët e këtij turneu. Është një nder për mua dhe familjen time që një eveniment i tillë i kushtohet babait tim".
Më pas, një urim për organizatorët erdhi nga daja i Ledio Panos, Robert Gjini: "Një urim i veçantë për të gjithë ju që keni organizuar një eveniment të tillë, si dhe për të gjithë pjesëmarrësit e këtij turneu".
Përgatiti: A.Dushku